Në raportin e saj të fundit për gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, Banka Botërore parashikon një rritje të moderuar ekonomike në dy vitet e ardhshme, por paralajmëroi se rajoni vazhdon të mbetet i brishtë dhe rritja e tij ekonomike e pasigurt.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, eksperti kryesor i Bankës Botërore për rajonin, Richard Record tha se sfidat më të mëdha për Shqipërinë dhe Kosovën janë strukturore – çështjet si dallime në cilësinë e aftësive të forcës së punës, shpërputhja mes sektorit arsimor dhe nevojave të sektorit privat, si dhe sigurimi i investimeve cilësore, që do të siguronin vende pune më të qëndrueshme.

Zëri i Amerikës: Zoti Record, në raportin e fundit, Banka Botërore thotë se gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor po funksionojnë në një mjedis të ndërlikuar, po përjetojnë rritje, por gjithashtu paralajmëron se ato do të përballen me pasiguri për të ardhmen. Çfarë po e pengon rritjen e rajonit?

Richard Record: Ne jemi optimist, por edhe të kujdesshëm sa i përket mundësive për rritjen ekonomike të Ballkanit Perëndimor. Kemi parë një forcim të shkallës së rritjes. Rajoni në tërësi ka shënuar një rritje nga 2.6 për qind vitin e kaluar në 3.3 për qind këtë vit. Është e rëndësishme të kuptojmë se kjo po ndodh në një mjedis me shumë sfida dhe me shumë pasiguri nga jashtë. Bashkimi Evropian, në veçanti Gjermania, që është partneri më i madh tregtar dhe për investimet në tërë rajonin, ka tani një gjendje të pandryshuar e ndoshta ekonomia e saj është në recesion. Mes kaq shumë paqëndrueshmërive në mjedisin e jashtëm, fakti që rajoni po përjeton rritje me shkallë të përshpejtuar ekonomike, është shumë inkurajuese. Dhe natyrisht, fakti që Ballkani Perëndimor ka rritje më të shpejt se Bashkimi Evropian, nënkupton një shkallë përafrimi sa i përket standardit të jetesës.

Zëri i Amerikës: A është e mjaftueshme kjo rritje ekonomike që të ndihet konkretisht nga banorët?

Richard Record: Gjithmonë do të dëshironim të shihnim një rritje më të shpejtë, ngaqë sfida kryesore është se në cilën pikë do të arrijmë të shohim një përputhje mes standardit të jetesës në Ballkanin Perëndimor me mesataren e Bashkimit Evropian. Natyrisht, rritja ekonomike mbi 3 për qind është shenjë inkurajuese. Do të dëshironim të ishte më e shpejtë. Rritja vjen kryesisht për shkak të niveleve më të larta të konsumit, që do të thotë se përderisa inflacioni ka shënuar rënie, besimi është rritur dhe kemi parë investim më të madh publik, që po nxit aktivitetin ekonomik. Mjedisi i jashtëm është gjithsesi i vështirë. Nuk kemi parë rritje të eksporteve. Por ndoshta ndërkohë që ekonomia e Bashkimit Evropian fillon të rritet, do të shohim edhe mundësi për rritjejen e eksporteve. Megjithatë, në afatin e mesëm, për të patur shkallë më të shpejtë rritjeje ekonomike dhe shkallë më të shpejtë të përmirësimit të standardit të jetesës në Ballkanin Perëndimor duhen reforma të thella strukturore, përmirësim në standardin e aftësive, arsimimit, investime më të mëdha private dhe përmirësim të produktivitetit.

Zëri i Amerikës: Të qëndrojmë tek tema e rritjes ekonomike. Në dy vitet e ardhshme, në vitin 2025 dhe 2026, kjo rritje parashikohet të jetë pak a shumë e njejtë për Shqipërinë. Tani rritja është 3.3 për qind dhe pritet të shkojnë në 3.4 për qind në dy vitet tjera. Ngjashëm në Kosovë, ku kjo rritje tani është 3.4 për qind dhe parashikohet të shkojë në 3.8 dhe 3.9 në dy vitet e ardhshme respektivisht. Nëse shohim përtej numrave, a do të thotë kjo që situata ekonomike do të jetë e njejtë si tani.

Richard Record: Jo. Këta numra tregojnë një përmirësim në standardin real të jetesës. Këto janë shkallët reale të rritjes së Prodhimit të Përgjithshëm Bruto… Pra është gjithsesi përmirësim, është shkallë e rritjes. Po ta krahasoni me ekonomitë e përparuara në Evropë, të cilat nuk po shohin rritje, apo diçka më pak se 1 për qind, atëherë rritja me 3 deri në 4 për qind është mjaft inkurajuese. Por natyrisht, në afatin e mesëm, ne dëshirojmë që t’i shihnim ekonomitë e shteteve të Ballkanit Perëndimor të rriten edhe më shpejt dhe si rezultat të ketë një përmirësim më të shpejtë të standardit të jetesës.

Zëri i Amerikës: A janë këto shkallë të rritjes të mjaftueshme për të absorbuar shkallën e papunësisë dhe pëpr të përmirësuar standardin e jetesës, ose nivelin e varfërisë në Shqipëri dhe Kosovë?

Richard Record: Ka përmirësim në përqindjen e popullsisë që është e punësuar, që gradualisht po rritet. Gjatë vitit të fundit është arritur niveli më i lartë i shënuar ndonjëherë i punësimit, me afro 49 për qind në tërësi në Ballkanin Perëndimore, nga 48 për qind vitin e kaluar. Rreth 114,000 vende të reja pune janë krijuar në Ballkanin Perëndimor gjatë këtij viti të fundit. Natyrisht, ekziston ende një hendek krahasuar me shtetet e BE-së, ku mesatarja e punësimit është rreth 54 për qind. Pra, ka ende punë për t’u bërë, por po shkon në drejtim të përmirësimit gradual sa i përket uljes së papunësisë, ndonëse siç e thash këto janë rezultat i niveleve relativisht të larta të konsumit dhe konsumi është një prej arsyeve që po shohim këtë rritje ekonomike të vazhdueshme edhe përballë një mjedisi të jashtëm që është mjaft sfidues.

Artikulli paraprakRIBASHKIM TË SHQIPËRISË DHE MAQEDONISË SË VERIUT NË RRUGËN EVROPIANE? ZËDHËNËSJA E KE PËR ZGJERIMIN: ËSHTË PROCES INDIVIDUAL
Artikulli tjetërPËRMBYTJET NË SPANJË/ KRYEMINISTRI APEL QYTETARËVE: KA ENDE RREZIK, MOS DILNI NGA SHTËPITË