Finalizohet operacioni policor i koduar “Mesazhi”, i zhvilluar me metoda speciale të hetimit.

Pas një muaji hetimesh intensive, të zhvilluara nga strukturat hetimore të DVP Shkodër, në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Shkodër, zbardhen dy ngjarje të ndodhura në vitin 2020, me lëndë eksplozive.

Vihet në pranga një 33-vjeçar i dyshuar për vendosje të eksplozivit në banesën e një punonjësi Policie, si dhe në banesën e një qytetari.

Strukturat Hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, në kuadër të punës hetimore të kryer, për zbardhjen e ngjarjeve kriminale të ndodhura më parë, identifikimin, kapjen dhe arrestimin e autorëve, bazuar në inteligjencën informative dhe si rezultat i një hetimi proaktiv disajavor, në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Shkodër, bënë të mundur grumbullimin e provave, për një autor të dyshuar të dy ngjarjeve me eksploziv, të ndodhura në vitin 2020.

Bazuar në provat e grumbulluara nga hetimi, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Shkodër ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për shtetasin D. N., 33 vjeç, lindur dhe banues në Shkodër, për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me eksploziv” dhe “Mbajtja pa leje e armëve luftarake shpërthyese”, kryer në bashkëpunim.

Në kuadër të operacionit policor të koduar “Mesazhi”, u bë e mundur kapja dhe ndalimi i 33-vjeçarit, i dyshuar si autor i vendosjes së lendës eksplozive, e cila ka shpërthyer në banesën shtetasit P. M., me detyrë oficer Policie ne Komisariatin e Policisë Shkodër, dhe në banesën e shtetasit Z. B., ngjarje të ndodhura në datë 4 Janar 2020, në qytetin e Shkodrës.

Nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, strukturat hetimore të DVP Shkodër, po punojnë intensivisht për identifikimin e bashkëpuntorëve të mundshëm, si dhe për zbardhjen e ngjarjeve të tjera të kësaj natyre, ndodhur kohët e fundit.

Policia e Shkodrës garanton qytetarët se është e vendosur për të goditur , çdo person apo grup kriminal që cënon jetën dhe pronën e qytetarëve, dhe në këtë kuadër fton qytetarët që të mbështesin akoma më shumë Policinë, për të krijuar një ambient sa më të sigurt.

Artikulli paraprakKENI NDJESINË SE JU “DHEMBIN” FLOKËT? PSE NDODH KJO
Artikulli tjetërSHTYPI I DITËS 28 JANAR 2023, ÇFARË SHKRUAJNË GAZETAT SOT