Tetë fotografë u bënë bashkë për të sjellë mesazhin e fortë të bashkëjetesës ndërfetare në qytetin e Shkodrës përmes një ekspozite të realizuar në qendrën rinore Arka. Ekspozita “Gurët e Besimit” përçon përmes personazheve të feve të ndryshme harmoninë mes tyre e trashëguar ndër shekuj në Shkodër si një shembull jo vetëm për Shqipërinë por edhe për Europën. Marjan Lukani, koordinatori i qendrës “Arka”, që organizoi këtë ekspozitë në kuadër të projektit “Forcimi i Dialogut dhe Harmonisë Ndërfetare në Shkodër”, thotë se personazhet që kanë sjellë tetë artistët mbartin dhe shprehin bashkëjetesën ndërfetare.

Harmonia ndërfetare në Shkodër preket në çdo qelizë të këtij qyteti i cili edhe në momentet më të vështira tregoi forcën e madhe për të kapërcyer çastet më delicate. E sjellë nga fotografët, thotë kuratori i kësaj ekspozite Luçian Bedeni, mesazhi i harmonisë fetare vjen edhe më i forte.

Një prej fotografeve, Pavia Vuka, e cila ka hulumtuar gati një vit duke gjetur foto e video që tregojnë bashkëjetesën fetare në zonën ku banon Gur i Zi, i njohur për tradita e zakone që në lashtësi por edhe një zonë me besim të fortë rrëfen historinë e priftit Loro Nodaj i cili në burgjet e komunizmit i propozoi një muslimani nga zona e tij që të ndërtonin një xhami në Gurin e Zi ku kishte shërbyer përpara se të arrestohej nga diktatura e kohës.

Ekspozita “Gurët e Besimit” në qendrën rinore “Arka” u financua nga Ambasada e Holandës në Tiranë ndërsa përveç Pavia Vukaj morën pjesë edhe fotografët dhe artistët Arben Llapashtica, Aurelda Dizdari, Ergys Vela, Elsaida Musiq, Enza Rripaj, Emiljan Nënshati dhe Rozafa Shpuza të cilët sollën fotografitë dhe tri video që tregojnë për vëllazërinë mes besimeve fetare në Shkodër.

Artikulli paraprakREFUGJATËT, DEBATE NË KËSHILLIN BASHKIAK
Artikulli tjetërOSMANI: I KËNAQUR EDHE ME BARAZIM NDAJ EGNATIAS