Një ekspozitë me objekte e dokumente islame të gjetura në Shkodër që datojnë që në fillim të shekullit të XVIII u hap në Galerinë e Arteve në Shkodër. Pas Tiranës, ekspozita “Udhët e Shkronjave” e Institutit Konak vjen në qytetin e Shkodrës. Një prej organizatorëve të kësaj ekspozite, Besnik Sinani thotë se qëllimi është që shteti shqiptar të mundësojë gjetjen e një vendi si muze për ekspozimin e përhershëm të këtyre objekteve e dokumenteve islame të gjetura në Shkodër dhe qytete të tjera të Shqipërisë pas një pune kërkimore 12 vjeçare….
Kuratori i ekspozitës Edison Çeraj tregon për rëndësinë dhe vlerat e këtyre objekteve dhe dokumenteve islame dhe se sa e vështirë ishte për t’i ruajtur….
Gurë të gdhendur, diploma e dokumenta, tablo devocionale, objekte të ndryshme të praktikës fetare dhe sidomos libra shfaqen për publikun e Shkodrës përmes kësaj ekspozite. Librat, disa dikur në zotërim të dijetarëve dhe emrave të njohur historikë, i dëshmojnë publikut pasurinë e dikurshme intelektuale zotëruar kryesisht në gjuhët e Orientit. Kjo trashëgimi e larmishme, në fashitje të ngadaltë, ngjyroste natyrshëm përditshmërinë dhe të përtejmen e shqiptarëve myslimanë, derisa përdhuna komuniste i ndaloi ritmin.