Dy nga prokurorët e dosjes së ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, të cilët kanë përfaqësuar akuzën në Gjykatën e Shkallës së Parë kundër të arrestuarit Nazer Seitaj, i cilësuar nga prokuroria e Katanias, si financieri i grupit kriminal që drejtohej nga Moisi Habilaj, janë vënë në ndjekje disiplinore. Bëhet fjalë për prokurorët Vladimir Mara dhe Dritan Prençi, të cilët sipas verifikimeve që kreu Drejtoria e Inspektimit në Prokurorinë e Përgjithshme ka rezultuar se nuk kanë njoftuar prokurorinë e Përgjithshme por edhe nuk kanë pasur një komunikim me prokurorinë e Tiranës, e cila kishte në shqyrtim çështjen për ekstradimin në Itali të Nazer Seiti.

“…Ndalimi i shtetasit Nazer Seitaj është vlerësuar i ligjshëm nga Gjykata për Krime të Rënda dhe ndaj tij është caktuar masa e sigurimit “arrest në burg” me afat 20 ditë dhe në përfundim të këtij afati është caktuar masa e sigurimit “arrest në burg”. Kjo prokurori nuk ka asnjë komunikim në lidhje më çështjen as me Prokurorinë e Tiranës dhe as me Prokurorinë e Përgjithshme. Vendimet e Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, për vlerësimin e ndalimit dhe caktimin e masës së sigurimit i janë dërguar për zbatim Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve…”-thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Përgjithshme. Veç dy prokurorëve të tjerë Arta Marku, ka urdhëruar ndjekje disiplinore për prokuroren Armida Hamiti (Moçka), e cila ka përfaqësuar akuzën në gjykatë, në dosjen e ekstradimit të Nazer Seitit.

Po kështu është kërkuar ndjekje disiplinore edhe për një tjetër prokuror të Tiranës, Shahin Pashen. Njëherësh në njoftim thuhet se Arta Marku “…ngarkon Drejtorinë e Studimeve pranë Prokurorisë së Përgjithshme të studiojë rastin dhe të nxirren udhëzimet me karakter të përgjithshëm për të njehsuar praktikat në procedurën e ekstradimeve dhe më gjerë nga prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm…”. Nezar Seiti, i njohur ndryshe si financieri i grupit “Habilaj” për trafikun e drogës Shqipëri-Itali u ekstradua para dy ditësh në Itali.

Nezar Seiti bënte shpërndarjen e parave mes anëtarëve të bandës, para këto të fituara nga trafiku i kanabisit. Drejtësia italiane shpalli në kërkim Seitin, pas hetimeve nga prokuroria e Cattanias për grupin Habilaj, ku në tetor 2017 u shkatërrua grupi kriminal me në krye Moisi Habilajn. Nezar Seiti u arrestua në Babicë Vlorës me 19 tetor të vitit të shkuar, gjatë një operacioni antidrogë ku u sekuestruan afërsisht 4 ton kanabis.

Artikulli paraprakSOT PROTESTA/ LULZIM BASHA LINJË NDRYSHE NGA BERISHA, JO DHUNË
Artikulli tjetërGAZETA IRLANDEZE RENDIT SHQIPËRINË MES DESTINACIONEVE MË TË MIRA TURISTIKE