Interpol Tirana ekstradon nga Italia drejt vendit tonë, një 40-vjeçar shqiptar, i dënuar me 20 vite burg nga drejtësia shqiptare për veprat penale “Vrasje e kryer në gjendje të tronditjes së rëndë psiqike” dhe “Mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municioneve”.
Ekstradohet dhe nga Greqia një 58-vjeçar shqiptar, i dënuar me 8 vite burg nga drejtësia shqiptare për veprat penale “Vrasje me dashje” dhe “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta.
Si rezultat i bashkëpunimit dhe shkëmbimit të informacionit midis Interpol Tirana dhe Interpol Roma, u bë arrestimi në Romë dhe më pas ekstradimi drejt vendit tonë, i shtetasit shqiptar: Festim Rusi, alias Besim Rusi 40 vjeç. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë e ka dënuar këtë shtetas me 20 vite burg për veprat penale “Vrasje me dashje” dhe “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”.
Përmbledhje e ngjarjes së ndodhur: Në vitin 2001, shtetasi Festim Rusi alias Besim Rusi, në fshatin Metalliki në Greqi, pas një debati për motive të dobëta ka vrarë me armë të ftohtë thikë, shtetasin A. R.
Po nga Interpol Tirana u krye ekstradimi nga Athina/Greqi i shtetasit shqiptar Sherif Gjini 58 vjeç, lindur në Elbasan. Ky shtetas ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Z.Q.K Interpol Tirana, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan, e ka dënuar me 8 vite burg për veprat penale “Vrasje e kryer në gjendje të tronditjes së rëndë psiqike” dhe “Mbajtje pa leje e armëve luftarake dhe municioneve”.
Përmbledhje e ngjarjes së ndodhur: Në vitin 2005, në fshatin Linas të Komunës Mollas në Elbasan, shtetasi Sherif Gjini ka vrarë me armë zjarri për motive të dobëta shtetasin A. A.
Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Romën dhe Athinën, u bë i mundur arrestimi i tyre në Itali dhe Athinë, duke u finalizuar me ekstradimin drejt vendit tonë.
Të dy shtetasit e ekstraduar ju dorëzuan përfaqësuesve të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.