Izet Haxhia, ish-truproja i Sali Berishës u ekstradua në aeroportin e Rinasit, nën masa të rrepta sigurie. Haxhia është dënuar me 25 vjet burg për bashkëpunim në vrasjen e Azem Hajdarit.
Drejtësia shqiptare, sipas ligjit, ka një muaj kohë për të vendosur nëse do të lihet në fuqi ky dënim apo procesi për vrasjen e Hajdarit, do të rihapet.
Izet Haxhia, ish-truproja i Sali Berishës përgjatë viteve 1992-1997, i dënuar me 25 vjet burg për bashkëpunim në vrasjen e Azem Hajdarit, u ekstradua nga Stambolli i Turqisë drejt Aeroportit të Rinasit. Avioni më të cilin udhëtonte u ul në pistën e aeroportit në orën 20:07 minuta.
I shoqëruar nga punonjës të Drejtorisë së Policisë së Tiranës dhe ata të trupës së shoqërimit të Drejtorisë së Burgjeve, Haxhia u dërgua në ambientet e burgut 313, ku pritet që nga kjo e martë t’i nënshtrohet një procesi të gjatë gjyqësor.
Më herët Haxhia ka kërkuar garanci nga autoritetet shqiptare për zhvillimin e një procesi të drejtë dhe të rregullt gjyqësor.
Prej 2 javësh ai ishte vetëdorëzuar në policinë turke, ndërsa për 12 vjet me radhë një gjykatë atje kishte urdhëruar që ai të mos largohej jashtë vendit. Në shkurt të këtij viti u mor vendimi që ai të ekstradohet.
Ekstradimi i tij në Shqipëri mund të çojë në rihapjen e dosjes ‘Hajdari’, pasi Izet Haxhia është shprehur vazhdimisht se ka prova që fajësojnë ish-kryeministrin Sali Berisha si pjesë e skenarit që çoi në ekzekutimin e Azem Hajdarit pak metra larg selisë blu.
Izet Haxhia u arrestua në vitin 2006 në Turqi. Në Kodin e Procedurës Penale parashikohet që vendimi rishikohet kur ekstradimi i të dënuarit të gjykuar në mungesë jepet me kushtin e shprehur të rigjykimit të çështjes.
Në këtë rast, kërkesa për rishikim mund të paraqitet brenda 30 ditëve nga data kur personi është ekstraduar.
Pra, referuar legjistacionit shqiptar, tashmë drejtësisë i mbetet një muaj kohë për të vendosur nëse do të rihapet procesi gjyqësor ose do të lihet në fuqi dënimi prej 25 vitesh.
Njoftimi i policisë:
Ekstradohet nga Turqia, Izet Haxhiaj , i dënuar me 25 vjet burg për vrasje
Nga Specialistët e Interpol Tirana u bë ekstradimi nga Turqia drejt Shqipërisë, i shtetasit shqiptar:
Izet Haxhiaj, 52 vjeç, lindur në Babinë, Tropojë.Shtetasi Izet Haxhiaj është shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë me vendim penal nr. 316, datë 29.04.2002 e ka dënuar me 25 vjet burg për veprat penale “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese e kryer në bashkëpunim”,
“Vrasje me paramendim e kryer në bashkëpunim” dhe “Vrasje me paramendim të mbetur në tentativë, e kryer në bashkëpunim”, parashikuar nga nenet 79/c-25, 78-25 dhe 78-25/22 të Kodit Penal.
Përmbledhje e ngjarjes së ndodhur:
Në datë 12.09.1998, rreth orës 21:15, pranë ish Selisë Qëndrore të Partisë Demokratike në Tiranë, janë vrarë me armë zjarri shtetasit A. H., deputet i Kuvendit të Shqipërisë, shtetasi B. Ç. truproja e tij dhe është plagosur rëndë shtetasi tjetër Z. N.
Hetimet kanë zbuluar se shtetasi Izet Haxhiaj, ka qenë një prej autorëve të kësaj ngjarje.