Një snajper është gjetur në tarracën e një pallati në Mirditë vetëm pak orë pas ekzekutimit të Kastriot Reçit. Grupi hetimor dyshon se snajperi mund të ketë lidhje me ekzekutimin e 47 vjeçarit.
Ngjarja ka ndodhur paraditën e kësaj të marte (7 janar) rreth orës 11:00 në qendër të qytetit të Rrëshenit.
Ndërkohë është rrëzuar versioni se dy persona me makinë ishin afruar lokalit në pronësi të viktimës dhe e kishin ekzekutuar 47 vjeçarin në dalje të tij.
Dëshmitarët kanë thënë se nuk kanë dëgjuar të shtëna por kanë parë vetëm viktimën të shtrihet.
Policia tregohet e rezervuar në dhënien e informacionit: “Sot, rreth orës 11:05, në afërsi të një lokali në Rreshen, Mirditë,në rrethana ende të paqarta është vrarë me armë zjarri shtetasi K.R., 47 vjeç.
Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorit/eve. Shërbimet e Policisë të D.V.P. Lezhë, të Komisariatit të Policisë Mirditë, po krehin zonën si dhe janë ngritur pika kontrolli për kapjen e autorit/eve.
Forcat e FNSH dhe RENEA kanë ngritur pika kontrolli për arrestimin e autorit/ eve por ende asnje detaj.
Në lokalitet Reçi njihej si pronar i Televizionit “M+” (Media+) por AMA përmes një njoftimi për median informoi se ka qenë ortak në këtë tv, të cilit i është hequr licenca me vendim Bordi të AMA-s në vitin 2018.
I kanë vrarë edhe vëllain në Itali-Dy vite me parë në Itali është ekzekutuar edhe vëllai i tij, Gasper Reçi i cili akuzohej për posedim dhe lëndëve narkotike. Nuk dihet nëse dy ngjarjet kanë lidhje me njëra-tjetrën.
Ngjarjet ku dyshohet se ka qenë i përfshirë Reçi-Dyshohet se ka lidhje me një sërë vrasjesh të kryera në Belgjikë dhe në Itali. 47-vjeçari ishte marrë në pyetje për vrasjen e ish-drejtorit të OSHEE, Saimir Jaku 2 vite më parë. Ai dyshohet se ka qenë i përfshirë edhe në vrasjen e Tonin Gjinit, por në asnjë rast nuk janë ngritur akuza ndaj tij, por është person i pyetur nga policia.
Pika kontrolli për kapjen e autorëve-Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorit/eve. Shërbimet e Policisë Lezhë, të Komisariatit të Policisë Mirditë, po krehin zonën si dhe janë ngritur pika kontrolli për kapjen e autorit/eve.
Policia ka ofruar 2 milionë lekë të rinj kush jep informacion të saktë që do çojë në zbardhjen e vrasjes së Kastriot Reçit në Rrëshen, identifikimin dhe vendndodhjen e autorëve.
Në dispozicion janë vënë edhe numrat e telefonit.
“Kushdo që mund të ketë informacion të vlefshëm, të telefonojnë në numrin unik 112 dhe në numrin në dispozicion për këtë qëllim 069 41 06 449, duke ju garantuar anonimat të sigurt dhe reagim të menjëhershëm”, thotë policia.
Ndërkohë për zbardhjen e kësaj ngjarjeje është ngritur grupi i posaçëm hetimor, me specialistë nga Departamenti i Policisë Kriminale, Policisë Lezhë dhe Komisariati i Policisë Mirditë, nën drejtimin e Prokurorisë dhe vijon puna për grumbullimin dhe administrimin e çdo prove sado të vlefshme që do t’i shërbejë hetimit.
Në ndihmë të DVP Lezhë dhe Komisariatit të Policisë Mirditë kanë shkuar disa grupe të FNSH Shkodër dhe vijon krehja e zonës, me qëllim kapjen e autorëve.
Ndërkohë, është bashkëpunuar me DVP Shkodër, Tiranë e Kukës dhe Policinë Kufitare, për të shtuar kontrollet në akset rrugore dhe në kufirin e gjelbër, me qëllim parandalimin e daljes jashtë vendit të autorit/ve të dyshuar.