TURISTËT PO UDHËTONIN NË DREJTIM TË SHKODRËS NGA PREKALI. Dy turistë çekë janë vrarë dhe më pas janë hedhur në greminë bashkë me mjetin e tyre në zonën e Dukagjinit. Fillimisht u fol për një aksident të tyre, por burime të policisë dhe Prokurorisë së Shkodrës tregojnë se, persona ende të paidentifikuar i kanë vrarë ata.Turistët ndodheshin në një kamping në fshatin Prekal të Dukagjinit. Ata janë vrarë sapo ishin nisur nga Prekali në drejtim të Shkodrës me një automjet tip fuoristradë.

Pak metra pasi kanë lënë fshatin janë qëlluar me breshëri automatiku, ku për pasojë të dy turistët kanë gjetur vdekjen në vend. Autorët e ngjarjes i janë afruar automjetit për të marrë sendet e viktimave, ku kanë lënë dhe gjurmë gishtërinjsh në xhamin e pasagjerit. Më pas makina është hedhur në greminë për të humbur gjurmët dhe për ta maskuar si aksident. Dhjetëra forca policie mbërritën në vendin e ngjarjes, por tereni i vështirë dhe mungesa edhe e valëve të telefonit ka bërë që të ketë pak informacion për këtë ngjarje të rëndë. Policia është duke hetuar, por kjo nuk është ngjarja e parë e rëndë që ndodh me turistët çekë në vendin tonë. Tre të rinj u zhdukën në vitin 2001 po në këtë zonë dhe sot e kësaj dite nuk është mësuar ende asgjë për fatin e tyre. Tre turistë po çekë u grabitën në vitin 2012 në Kukës, ndërsa në maj të këtij viti, po një turist çek humbi jetën duke bërë rafting në lumin e Kirit në Shkodër.

Artikulli paraprakUNIVERSITETET ITALIANE, MUNDËSI PËR TË RINJTË
Artikulli tjetërHETIMET PËR NGJARJEN NË PREKAL, DYSHOHET PËR 4 PERSONA