Elvis Plori është drejt shkarkimit si drejtor sportiv i Vllaznisë. Gabimet e bëra në merkato nga ai në skuadrën e ndërtuar në verë, por edhe situata kritike që është për momentin tek kuqeblutë, duket se kanë bërë presidentin Alban Xhaferi që të vendosë për një ndryshim të mundshëm të drejtorit sportiv. “Star Plus” ka zbuluar nga burime të sigurta në klubin shkodran se, tashmë me të gjitha gjasat Elvis Plori nuk do të jetë më drejtor sportiv i Vllazisë. Për të zëvendësuar Plorin mësohet se në ditët e fundit ka pasur bisedime me Tefik Osmanin. Ky i fundit është larguar vetëm pak ditë më parë nga posti i drejtorit sportiv të Tiranës dhe mësohet se ka pasur negociata me drejtuesit e Vllaznisë për të qenë ai në postin që aktualisht mban Plori.

Mirëpo, për momentin marrëveshja nuk është zyrtarizuar akoma, pasi palët po bisedojnë për të gjetur një konsensus të fundit. Poashtu, nga sa mësohet, përveç Tefik Osmanit, që është kandidati kryesor për të zëvendësuar Plorin si drejtor sportiv te Vllaznia, në skenë janë edhe emrat e Elton Marinit dhe Arbi Laçit. Megjithatë, në orët e ardhshme mund të ketë diçka konkrete në këtë drejtim, teksa presidenca me në krye Alban Xhaferi po mendon që tani për të bërë lëvizjet në merkaton e janarit. E sigurtë është që me disa futbollistë, të cilët nuk kanë përmbushur pritshmëritë, do të ketë bisedime për prishje të kontratës. Në fakt, situata te Vllaznia është kritike për vetë rezultatet që skuadra ka marrë këtë periudhë dhe ndoshta, një ndryshim i drejtorit sportiv në këtë moment ishte i pritshëm, për vetë faktin se pas barazimit ndaj Erzenit në Shkodër dhe pas humbjes së thellë kundër Partizanit në kryeqytet, situata ka qenë e agravuar.

Artikulli paraprak“DHJETOR 1990” NDERON DY FIGURA TË KLERIT
Artikulli tjetërShkuam, pamë dhe u kualifikuam! Shqipëria pret zyrtarisht biletën për herë të dytë në një Europian