Gjykata e Shkallës së Parë në Tiranë vendosi sot dënimin me 5 muaj burg për Elvis Rroshin, por që dënimi është pezulluar duke u konvertuar në 60 orë punë publike të detyruar.
Në pretencën e saj, Prokuroria kërkoi 7 muaj dhe 15 ditë burg për ish-kryetarin e bashkisë së Kavajës, por në fund gjykata vendosi që të dënohet me 5 muaj, që u konvertua në punë të detyruar.
Ish-kryebashkiaku i Kavajës akuzohet për falsifikim të formularit të dekriminalizimit, akuzë të cilën e ka pranuar dhe vetë.
Avokati, Maks Haxhia, tha se gjyqi në Itali për Rroshin, ku akuzohet për përdhunim, është rihapur.
Haxhia: Rroshi ka qenë emigrant në Itali, ka përdorur emra të tjerë se ka qenë i detyruar.
Elvis Rroshi është shprehur se për shkak të neglizhencës e kishte plotësuar gabim formularin dhe duhet ta kishte bërë në praninë e avokatit.
Rroshi kishte deklaruar në formularin e dekriminalizimit se nuk kishte patur precedentë të mëparshëm penalë.
Nga verifikimi i Prokurorisë, rezultoi se ai kishte patur disa masa sigurimi, ndalime dhe dëbime në Itali, Zvicër dhe Gjermani.
Pas publikimit të këtyre fakteve, Rroshi dha dorëheqjen duke u shprehur se ishte minoren kur ishte dënuar në Itali, ndërsa hoqi dorë nga dorëheqja pas pak ditësh, derisa u arrestua dhe më pas u vendos të hetohej në gjendje të lirë.