Shtabi i Emergjencave Civile në Prefekturën e Qarkut Shkodër ka dhënë informacion zyrtar për situatën e krijuar nga reshjet e borës në ditët e fundit.

Shtabi i Emergjencave kërkon që pas ngjarjes së rëndë ku shtetasi Tonin Loci humbi jetën pasi u shemb mbulesa e karburantit Gega Oil të merren masa për të gjitha bizneset e tjera për pastrimin e çative me qëllim parandalimin e ngjarjeve të tilla.

Në këtë njoftim Emergjencat tregojnë se FNSH ka shpëtuar një person të bllokuar nga bora në fshatin Ndërmollas. Prefektura bën me dije gjithashtu se janë të mbyllura të gjitha shkollat në bashkitë Malësi e Madhe, Vau Dejës, Pukë,

Fushë Arrës ndërsa në Bashkinë Shkodër janë të hapura vetëm shkollat e qytetit ku edhe frekuentimi i nxenësve është i dobët, ndërsa shkollat në zonat malore janë edhe ato të mbyllura.

Probleme me emergjencat shëndetësore nuk ka patur ndërsa janë shënuar dy raste të daljes së mjeteve nga rruga pa pasoja për shëndetin e njerëzve. Në bashkinë Shkodër aksi rrugor Shkodër-Bregu i Lumit është i bllokuar sepse në Malin Shoshit ka rreth 80 cm deborë.

Aksi rrugor Bogë–Theth është i bllokuar sepse në Qafë Thorë ka rreth 130 cm dëborë. Nuk ka energji elektrike në njësinë administrative Shosh ndërsa në njësinë Shalë furnizohen vetëm fshatrat Theth, Ndërlysaj dhe Breg Lumi.

Në bashkinë Vau Dejës dhe njësitë Shllak dhe Temal një pjesë e fshatrave nuk kanë energji elektrike dhe në rrugë ka rreth 60 cm dëborë, kalimi i mjeteve bëhet me zinxhirë. Probleme ka edhe në bashkinë Malësi e Madhe për shkak se aksi rrugor Koplik – Bogë është i kalueshëm me zinxhirë dhe atje ka rreth 60 cm dëborë.

Aksi rrugor Tamarë – Vermosh, Tamar – Vukel i pa kalueshëm sepse në Qafën e Bordolecit, ka rreth 1 metër borë ndërsa aksi rrugor Vrith – Razëm është i bllokuar dhe ka rreth 50 cm borë. Nuk ka energji elektrike në njësinë Shkrel, Tamarë dhe një pjesë e Gruemirës.

Në Pukë në aksin Qafë Mali-Fierz dhe Qafë Mali–Qafë Shllak ka bllokime në disa segmente nga orteqet. Aksi rrugor Qafë Qelë – Pukë – Fushë Arrës është i kalueshëm me zinxhirë dhe trashësia e bores është rreth 40 cm ndërsa e bllokuar është rruga Fushë Arrës – Iballë ndërsa bora shkon mbi 90 cm.

Artikulli paraprakSHKODËR, SHPËTOHET PAS 9 ORËSH I BLLOKUAR NË BORË
Artikulli tjetërSHKODËR, ENDE PA MËSIM 40 SHKOLLA