Flet Dr. Denis Saatçiu, pedagog në Fakultetin e Shkencave të Natyrës

Vitet e fundit është rritur interesi për të studiuar në degët e informatikës. Shifrat e INSTAT flasin për rritje të numrit të studentëve për Teknologji Informacioni dhe Komunikimi. I angazhuar prej vitesh në mësimdhënie në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, pedagogu Denis Saatçiu, thotë se vitet e fundit kanë tërhequr drejt degëve të informatikës studentë të përgatitur. Tregu i punës ofron paga relativisht të larta. Emigracioni po përhapet si “virus” edhe te profesionistët me paga të larta dhe në pozicione të mira pune.

Ju jeni i angazhuar prej vitesh në mësimdhënie. Sapo ka nisur viti i ri akademik. Si ishin prurjet e studentëve këtë vit?

Këtë vit, interesi ka qenë i lartë për degët e informatikës dhe TIK. Po ashtu, duhet thënë se mesatarja më e ulët për studentët e pranuar ka qenë 9.4, që tregon për një nivel të lartë studentësh. Që në fazën e parë ishin të regjistruar në mbi 95% të kuotave për Informatikën dhe Teknologjinë e Informacionit dhe Komunikimit.

Aktualisht, nga 200 vende studimi për degën e informatikës ka vetëm 3 vende të lira, ndërsa për të studiuar në degën e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit (TIK) nga 100 vende është vetëm 1 vend i lirë. Mendoj se deri tani këto kuota janë optimale, për të ofruar studentë cilësorë.

Ndryshe nga vite më parë, kam vënë re se studentët kanë shumë herë më tepër informacion për informatikën.

Në ndryshim nga vendet e tjera, në auditorët shqiptarë ka më shumë vajza se djem. Në vendet europiane, degët e informatikës zgjidhen më së shumti nga djemtë. Vajzat e kanë ende traditën që mësojnë dhe nga përvoja ime në mësimdhënie, vajzat janë më sistematike. Kemi studente shumë të mira. Kjo si fushë kërkon që të jesh inteligjent, por edhe sistematik në të mësuar.

Si është përballja me tregun e punës e studentëve që dalin nga fakulteti? Çfarë niveli pagash ka sektori?

Shqipëria ka zgjuar interesin edhe të kompanive të huaja në sektorin e IT-së për t’u vendosur këtu. Kjo ka ndodhur edhe për shkak të tatim fitimit të vendosur prej 5% për kompanitë IT që prodhojnë softuerë, ndër më të ulëtat në rajon.

Kompanitë që kanë ardhur në Shqipëri, kanë probleme për të gjetur staf sepse nuk ka realisht aq staf. Një pjesë e tyre duan të rekrutojnë deri në 500 specialistë të IT.

Një pjesë tyre kanë hapur edhe akademi me qëllim rekrutimin dhe orientimin drejt tregut të punës.

Në përgjithësi pagat janë të mira për sektorin, në varësi edhe të madhësisë së kompanisë. Kompanitë e huaja kanë paga shumë të larta. Një student në vitin e tretë gjen një punë me një pagë prej 35-40 mijë lekësh në muaj.

Personat me një vit punë, arrijnë të marrin një pagë 60-70 mijë lekë. Po të jesh shumë i mirë, nuk ka limite. Duhet thënë që programet master janë fleksibël dhe janë lënë pasdite, kështu që studentët e kanë të lehtë të punojnë.

Për një specialist 23-24 vjeç, pagat janë rreth 100-150 mijë lekë dhe pastaj kalojnë në nivele menaxheriale, ku një senior i mirë kalon nivelin prej 200 mijë lekësh.

Si janë kurrikulat që aplikojnë universitetet me kërkesat e tregut të punës?

Ekziston një debat midis universitetit dhe industrisë dhe ky është një fenomen global, pasi industria pretendon që studentët nuk janë të përgatitur për tregun e punës. Ndërkohë që universiteti përgatit në kuadër të shkollës së lartë.

Me thënë të drejtën, shumë kompani kanë mënyra të ndryshme pune, zbatojnë teknologji të ndryshme.

Universiteti përpiqet të nxjerrë specialistë që janë në gjendje të perceptojnë një problem dhe të kërkojnë zgjidhje. Duhet që kompanitë t’i përshtatin apo t’i kanalizojnë studentët sipas nevojave të tyre.

Ne jemi përpjekur që t’i bëjmë kurrikulat të orientuara drejt kërkesës së tregut, por ndryshimi do kohën e vet. Tregu është shumë dinamik, ndryshon shumë shpejt, dhe kurrikulat kërkojnë kohë, duhet edhe trajnimi i pedagogut përgjegjës që të përcjellë lëndë.

Sa potencial ka Shqipëria për t’u kthyer në një qendër të ofrimeve të shërbimeve IT të nënkontraktuar për Europën?

Aktualisht, kompanitë po punojnë për jashtë. Po të fokusohen vetëm në tregun vendas, kompanitë do të shkojnë drejt falimentimit, pasi tregu vendas aq hapësirë ka. Shumë kompani kanë filluar të ofrojnë shërbime të nënkontraktuara për kompani të mëdha jashtë. Ka dhe shumë kompani që janë me 4-5 të punësuar, të cilat burimin kryesor të punës e kanë nga kompani jashtë.

Në mendimin tim, e ardhmja e sektorit është drejt kësaj. Kompanitë shqiptare nëse do të duan të mbijetojnë, do të orientohen drejt tregut të huaj, pasi së pari tregu vendas nuk do të mjaftojë për ato që të rriten dhe kështu nuk do të paguajnë dot as punonjësit.

Në këto momente ka një kërkesë të lartë edhe për burime njerëzore, pasi sikurse thashë kanë ardhur dhe shumë kompani të huaja dhe në të njëjtën kohë janë rritur edhe disa shqiptare. Së dyti, kemi një lëvizje shumë të madhe të profesionistëve të IT, të cilët po shpërngulen jashtë.

Megjithatë, nisur edhe nga kapacitetet që ka vendi, besoj se Shqipëria do rritet deri në një kufi, pasi edhe popullsia është e vogël.

Në fakt, emigracioni i profesionistëve po kthehet në një fenomen shqetësues, ku grup-profesione të caktuar po zgjedhin të emigrojnë drejt vendeve të emigrimit. Si është situata me largimet?

Vetëm vjet, stafit tonë akademik i janë larguar dy vajza, një si programuese në Austri dhe një si programuese në Gjermani. Parvjet ikën edhe dy persona të tjerë. Në komunitetin tonë të IT-së po largohen shumë profesionistë, edhe pse kanë qenë të punësuar këtu në pozicione dhe me paga shumë të kënaqshme.

Çfarë mendoni që i shtyn të largohen?

Unë jam një nga ata partizanë për të qëndruar në vend. Ai ka investuar për ty. Informatika është një nga ato degë që është e lehtë të integrohesh në tregun e punës. Sepse kompanitë IT janë të orientuara drejt parasë dhe n.q.s. ti je i mirë, të rekrutojnë, nuk është e njëjta ngopje tregu siç mund të jetë me të diplomuarit për juridik dhe gazetarë.

Këta që kanë ikur jashtë kanë qenë në pozicione drejtuese dhe menaxheriale. Një pjesë japin si arsye që ikin – një jetë më të mirë për fëmijët. Megjithatë, jashtë kostot e jetesës janë shumë më të larta se në Shqipëri, ndërsa pagat nuk kanë një diferencë shumë të lartë me pagat këtu, të paktën për sektorin e IT.

Një student që bën Bachelor-in në universitetin tonë paguan rreth 25 mijë lekë në vit, ndërkohë që kostot vjetore për një student janë rreth 100 mijë lekë në vit/student. Shteti ka humbje shumë të madhe për të gjithë ata që largohen, ndërsa vendet që presin, rekrutojnë staf me kosto zero./Monitor

Artikulli paraprak‘SHPRESAT KËTË FILLIM VITI VIJNË NGA FRANCA’, DW: SHTOHEN SHANSET E SHQIPËRISË PËR FILLIMIN E NEGOCIATAVE
Artikulli tjetërRIKTHEHEN THIRRJET MASHTRUESE/ DY NUMRAT NGA TË CILËT DUHET TË RUHENI… NËSE E ZGJASNI TELEFONATËN MUND TA PAGUANI SHTRENJTË