Tashmë ekziston një mekanizëm i ri i solidaritetit për shpërndarjen e emigrantëve që vijnë në Evropë.
Në lidhje me çështjen, në Paris 14 shtete evropiane kanë nënshkruar një marrëveshje.
Dokumenti i hartuar u promovua nga Franca dhe Gjermania.
Presidenti francez Emmanuel Macron pas nënshkrimit të marrëveshjes tha se “shpërndarja e emigrantëve të rinj do të jetë e shpejtë”, duke shtuar se “anijet do të zbarkojnë në portin më të afërt të sigurt”, duke siluruar në një lloj mënyre Ministrin e Brendshëm Italian Matteo Salvini i cili nuk ishte i pranishëm në takim. “Nuk mund të jemi për një Europë solidare vetëm në letër, duke mos pranuar emigrantë por vetëm duke kërkuar fonde strukturorë”, shtoi Presidenti francez Macron.
Në takimin e Parisit ishin të ftuar të gjithë ministrat e brendshëm të vendeve të BE. Ndonëse Italia është në vijën e parë të frontit, si i pari vend që përballet me mbërritjen e emigrantëve, ajo nuk mori pjesë për arsye politike.
“Ne nuk marrim urdhra nga Macron, Italia nuk mund të konsiderohet si dama në vallëzim. Nëse presidenti francez do të flasë me ne për çështjen e emigrantëve, le të vijë në Romë. Europa nuk mund të rishikoi politikat e saj të emigracionit pa Italinë” – replikoi nga Roma Salvini.
Ministri i Brendshëm Italian Matteo Salvini këmbëngul në përforcimin e angazhimit për të parandaluar zbarkimet dhe për të rritur dëbimet, duke përfshirë edhe një listë të vendeve të sigurta “për të siguruar ripranime”
Malta dhe Italia kundërshtojnë idenë e portit të parë të sigurt për emigrantët, duke u frikësuar se duhet të mbajnë gjithë barrën.