Në një kohë që media dhe politika londineze trajton së gjeri çështjen e emigrantëve të paligjshëm shqiptarë, me ngjyresa që janë cilësuar deri edhe përçmuese, në Tiranë, një konferencë shkencore, trajton marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar në 100 vjetorin e tyre. Përkimi i konferencës me situatën është rastësi, por ambasadori i tanishëm, Alastair King Smith ndërsa flet për marrëdhënie mes qeverive e popujve, veçon:
“Jam shumë i zhgënjyer nga raportimet negative të kohëve të fundit në mediat e Mbretërisë së Bashkuar, dhe dua të parashtroj pozicionin e qeverisë së Mbretërisë së bashkuar në lidhje me Shqipërinë. Dua të theksoj se ne e vlerësojmë kontributin e komunitetit shqiptar në Britani. Shumica janë atje ligjërisht dhe kontribuojnë ndjeshëm në shoqërinë britanike. Ata meritojnë respekt si çdo minoritet e komunitet dhe kanë të njëjtën mbrojtje nga abuzimi e gjuha e urrejtjes”, është shprehur King Smith.
Ndërsa vlerësoi Shqipërinë në 1 vit të qëndrimit të tij këtu, ai shtoi: Ne duam të frymëzojmë të rinjtë për të ardhmen dhe të krijojmë partneritete të gjata me ndikim pozitiv. Duhet të investojmë më shumë dhe të ndihmojmë komunitetet që të jenë të stabilizuar këtu”. Diplomati u kërkoi historianëve të jenë të drejtpërdrejtë dhe sfidues ndaj tij dhe qeverisë britanike edhe për kërkesat që mund të kenë. Drejtori i Institutit të Historisë, Afrim Krasniqi përmend Kanalin e Korfuzit, luftën e dytë, interesin britanik vetëm si gjeopolitike pa lënë mënjanë diskutimin shkencor nëse Konferenca e Londrës e themeloi apo e copëtoi Shqipërinë.
“Mendoj se duhet ta shohim Britaninë jo si çështje e ditës, çështje e emigrantëve, e yjeve që janë në Britaninë, çështje dashurish që kanë politikanë të caktuar ndaj Britanisë, apo çështje e arrogancës që kanë politikanë të caktuar në Britani ndaj Shqipërisë, apo ne ndaj Britanisë, por duhet ta shohim si shtet serioz me rol të madh, më me histori, me diplomaci aktive, me rol të madh ndërkombëtar, me fuqi vendimmarrëse dhe me nevojën për ta bërë vend mik e për ta pasur në krah kur ka vendime politike”, ka thënë Afrim Krasniqi. Konferenca trajtoi ngjarje kyçe të shekullit të 20.