Vetëm në 6 muajt e parë të këtij viti Drejtoria e Kufirit dhe e Migracionit ka kapur rreth 1500 emigrantë të paligjshëm, të cilët nëpërmjet kufirit me Greqinë kanë tentuar në hyjnë në territorin Shqiptar në mënyrë të paligjshme.
Duke iu referuar burimeve zyrtare pranë Policisë së Shtetit, Report Tv mëson se rreth 60% e tyre janë kthyer vullnetarisht në Greqi, duke bërë procedurat nga ana e palës shqiptare.
Sipas burimeve, këta persona mendohej se do ta përdornin vendin tonë si rrugë tranziti për të kaluar në vendet e BE-së, aty ku kanë edhe familjarë të tjerë të tyre. Ndërsa pjesa tjetër kanë kërkuar azil në Shqipëri e aktualisht po trajtohen në qendrën e azilit në Babrru.
Ndërkohë, një pjesë e migrantëve të kapur në mënyrë të paligjshme ndodhen në qendrën e Karreçit, ku pasi të verifikohen e të bëhen procedurat përkatëse, do të përcaktohet nëse do tu jepet azil në vendin tonë apo do të kthehen në vendin nga kanë ardhur.
Për të gjithë personat e kapur në kufi, janë kryer procedurat nga Policia Kufitare, si marrja e gjurmëve të gishtërinjve, verifikimi në sisitem etj.
Mes personave që u strehuan në Karreç po verifikohen nëse ndonjë prej tyre është i dyshuar ose jo për akte të mëparshme terroriste.
Mësohet se numri më i lartë i emigrantëve të paligjshëm të kapur ka ndodhur kryesisht në tre muajt e fundit, falë edhe bashkëpunimit me efektivë të FRONTEX.