Pasi hodhën mbi kokat e deputetëve vendimin e Gjykatës Kushtetuese për votën e diasporës, përmes thirrjes “duam të votojmë” në një protestë simbolike brenda Kuvendit të Shqipërisë, përfaqësuesit e emigrantëve kanë nisur një tur revolte për votën deri më tani të pamundur të shqiptarëve që jetojnë dhe punojnë jashtë vendit. Këtë të shtunë shoqatat e diasporës u ndalën në Milano, nga ku bënë thirrje që t’u jepet e drejta për të votuar në zgjedhjet parlamentare të 2025.

“Thirrja jonë është e fortë dhe e panegociueshme: duam të votojmë në 2025. Parlamenti të ndalë së shkeluri në heshtje vendimin e Gjykatës Kushtetuese”.

Turin e këtyre protestave simbolike me thirrjen “dua të votoj” emigrantët do ta vijojnë në 5 qytete të ndryshme të Europës, ku jetojnë shqiptarë. Pas Milanos e Stuttgartit, ku protesta u zhvillua më 12 maj, protestat e tjera do të mbahen më 23 maj në Hagë, 24 maj në Bruksel dhe 25 maj në Londër. Paralel me këto protesta, palët politike në Tiranë janë ulur për të diskutuar mundësinë e votës së diasporës, edhe pse tashmë janë në shkelje të afatit që Gjykata Kushtetuese i dha Kuvendit për të plotësuar vakumin ligjor. Në mekanizmin e quajtur “Grupi i Dialogut”, bashkë me KQZ, këtë javë u diskutuan mundësitë për të realizuar votën e diasporës. Opozita dhe maxhoranca nuk bien dakord për mënyrën e regjistrimit të emigrantëve dhe mënyrën e votimit të tyre, pasi socialistët kërkojnë votë me postë, ndërsa Rithemelimi postë private ndërkombëtare. PD zyrtare thotë se këto mënyra manipulojnë votën e emigrantëve, ndaj kërkon votim elektronik. Të gjitha këto zhvillime mbahen në klimën e një turi me diasporën që kryeministri Edi Rama ka nisur, me ndalesën e parë të dielën e shkuar në Athinë, në Milano më 26 maj, në Londër më 2 qershor, për ta përmbyllur më pas me shqiptarët e Gjermanisë më 16 qershor në Dyseldorf.

Artikulli paraprakESTONI, MINISTRI HASANI: NATO MË E FORTË PAS AGRESIONIT SË PUTIN NË UKRAINË
Artikulli tjetërU QËLLUA 5 HERË ME ARMË ZJARRI, KRYEMINISTRI I SLLOVAKISË ROBERT FICO ENDE NË GJENDJE TË RËNDË