Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim në një raport të vitit 2020 konstatoi se Shqipëria renditej e katërta në botë për rritjen në normën e emigracionit të personave me aftësi të larta në punë për periudhën 2000/2001 deri në 2015/2016.
Shqipëria renditet edhe ndër 10 vendet e para në botë për normën e emigracionit të personave me aftësi të larta, duke e pasur këtë tregues 38.1%, që sipas tabelës së OECD pozicionohet në vendin e tetë në botë për normën e largimit të intelektualëve.
Shqipëria prej dekadash është prekur nga emigracioni masiv i popullsisë, kurba e te cilit nuk po njeh zbutje, por ikja e të arsimuarve është në nivele alarmante.
Një studim i mëparshëm i profesorëve Ilir Gëdeshi dhe Russell King, tregoi se Shqipëria renditet në mesin e e vendeve për emigracion të lartë të personave të arsimuar dhe me grada shkencore.
Ne lidhje me kete lajm ka reaguar Presidenti i Republikës Ilir Meta, me anë të një statusi në “Facebook”ku shkruan se ikja e intelektualëve nga Shqipëria është një tjetër rekord i zi i shënuar.
“Largimi i “ajkës” së shoqërisë, është një tjetër tregues i dhimbshëm se nga Shqipëria po largohen edhe qytetarët, që kanë një standard të mirë jetese, marrin një pagesë të kënaqshme dhe kanë një pronë, por për të cilët niveli i shërbimeve publike është i papranueshëm, ndjehen pa zë, të papërfaqësuar, të pafuqishëm për të ndryshuar gjendjen në vend dhe të pashpresë për të ardhmen e fëmijëve të tyre.
Referendumi i 25 prillit 2021 është vendimtar për të ardhmen e Shqipërisë, jo vetëm për 4 vite, por për dekadat që vijnë.
Me shpresë dhe besim, të bashkohemi e të marrim në dorë fatet tona për të ndryshuar këtë realitet, që po shkatërron familjet dhe po plak Shqipërinë, për të ndërtuar këtu të ardhmen e sigurtë dhe europiane për të gjithë.-shkruan Presidenti Meta.
Menjehere ka reaguar ne pergjigje te deklarates se Presidentit, Kryeministri Edi Rama.Rama thote se propaganda me largimet e shqiptarëve është një shëmti e madhe, që tregon karakterin e natyrën e vërtetë të opozitarëve.
“Një raport me të dhënat e 5-6 viteve më parë, i përdorur për politikë kundër qeverisë sot nga Presidenti i Republikës, është fiks argumenti pse shqiptarët në 25 prill duhet ta shqelmojnë jashtë organizmit politik të Shqipërisë ndërmarrjen private të LSI-së! Çfarë degradimi!-perfundon reagimin e tij Kryeministri Rama.