Emisari i Posaçëm i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, ka shprehur shqetësimet e tij pas përfundimit të vizitës në Kosovë, duke theksuar mungesën e gatishmërisë për kompromis dhe lëshime nga ana e Kosovës dhe Serbisë. Në një konferencë për media, Sarrazin tha se është i brengosur që nuk ka parë rezultate konkrete për avancimin e lirisë së lëvizjes, mallrave dhe parasë në kuadër të Procesit të Berlinit.

“Ideja është të sjellë rajonin e Ballkanit Perëndimor në parimin e partnerëve të barabartë së bashku drejt Bashkimit Evropian. Për këtë, ne kemi nevojë për bashkëpunim rajonal dhe kemi nevojë që rezultatet konkrete për të gjithë qytetarët e Ballkanit Perëndimor të jepen nga njerëzit. Rezultatet që tregojnë se kufijtë po bëhen më pak të rëndësishëm, për këtë është i rëndësishëm progresi tregtar, ekonomik, bashkëpunimi”, tha ai.

Sarrazin theksoi se është e nevojshme të bëhet një kapërcim ambicioz në Samitin e Berlinit që do të mbahet në tetor, por për të arritur këtë, të dyja palët duhet të tregojnë gatishmëri për kompromis dhe për të bërë lëshime të vështira.

“Ne duam të bëjmë një hap të madh përpara në Berlin në tetor. Sot isha në Prishtinë dhe tani udhëtoj në rajon për të përgatitur rezultate konkrete që të avancojmë për të përmirësuar jetët e njerëzve. Por, për këtë na duhet kompromis dhe, nganjëherë, edhe gatishmëri për të bërë lëshime për të arritur marrëveshje politike, të cilat nuk janë të lehta për Serbinë dhe Kosovën,” u shpreh Sarrazin.

Ai shtoi se largohet nga Prishtina i shqetësuar se nëse nuk shihen rezultate më të mira deri në Samitin e Berlinit më 14 tetor, do të jetë e vështirë të arrihet qëllimi për të dhënë një sinjal të fortë për bashkëpunimin rajonal dhe krijimin e një tregu të përbashkët në Ballkanin Perëndimor, shkruajnë mediat e Kosovës.

“Po largohem paksa i brengosur që nuk kemi arritur në atë moment edhe nëse nuk arrijmë rezultate më të mira për të ecur drejt samitit më 14 tetor jam i brengosur që nuk do ta arrijmë qëllimin tonë për të dhënë një sinjal të fuqishëm që bashkëpunimi rajonal, tregu i përbashkët rajonal dhe Procesi I Berlinit është formati që arrin të sjellë rezultate konkrete për njerëzit në terren”, deklaroi emisari gjerman.

“U kërkoj të gjithëve që të bëjnë çmos për të treguar gatishmëri për kompromise, në mënyrë që të arrijmë rezultate për lirinë e mallrave, lëvizjes së njerëzve, parasë dhe tregtisë në rajon, duke punuar së bashku drejt anëtarësimit në BE”, përfundoi Sarrazin.

Artikulli paraprakMË 1 SHTATOR, KRYEMINISTRI RAMA MBLEDH KABINETIN QEVERITAR NË DAJT
Artikulli tjetërPRESIDENTI FRANCEZ NË SERBI PËR TË DISKUTUAR LIDHJET ME BE-NË…