Dita e parë e shkollës ka qenë tepër e veçantë për më shumë se 1200 nxënës të cilët u ulën paraditen e kësaj të hëne për herë të parë në bankat e shkollës. Në shkollën 9-vjeçare “Xheladin Fishta” 61 vogëlushë përjetuan emocionet më të veçanta teksa u njohën me mësuese kujdestare dhe shokët e klasës. Ata kanë një urim për të gjithë bashkëmoshatarët e tyre.
Tanimë, jo parashkollor por nxënës të përkushuar të cilët me vullnet dhe seriozitet janë futur në rrugën e dijes. Këtë vit, në qarkun Shkodër ka patur një rënie të numrit të fëmijëve të regjistruar në klasat e para. Krahasuar me një vit më parë në 108 shkolla të qytetit janë regjistruar 550 nxënës më pak se një vit më pare, çka tregon edhe shkallën e lartë të emigrimit në vend.