Menjëherë pas konstituimit të këshillit bashkiak dhe nisjes zyrtarisht të punës nga kryetarja e bashkisë Voltana Ademi kanë nisur që të përfliten se kush mund të jenë administratorët e 10 njësive vendore që i janë bashkuar bashkisë së re të Shkodrës. Në dy prej 3 njësive më të rëndësishme siç janë Dajçi, Velipoja dhe Rrethinat duket se gara është më e fortë.

Në Velipojë 3 emrat më të mundshëm janë ish-kryetari i komunës Nikollë Marku. Po ashtu dy emra të tjerë janë ai i Sandër Vilunit e po ashtu edhe ish-drejtori rajonal i tatimeve Mark Laloshi. Po ashtu edhe në komunën Rrethina aktualisht janë tre emra si më të mundshmit për të qenë administrator. Sadi Neza, kryetari i PD në Rrethina është një prej kandidaturave. Krahas tij një tjetër emër që përflitet është ai i Vlash Pjetrit ndërsa nuk mbetet pas edhe Ridvan Guri, ish-kandidati i PD për komunën Rrethina në zgjedhjet e parakohshme. Në njësinë vendore të Dajçit emri më i përfolur që mund ta administrojë atë zonë është ai i Gjovalin Darragjati kryetar aktual i PD për grup seksionin Dajç-Bregu i Bunës. Në tre komunat e Dukagjinit po ashtu janë emra të njohur. Në Shalë nga më të përfolurit është Dedë Tonaj, ish-kryetar i komunës Shalë dhe aktualisht drejtor i rrugëve rurale. Në zonën e Shoshit mund të vazhdojë që të jetë Mark Kulla i cili deri tani ka mbajtur edhe postin e kryekomunarit. Në Pult janë shumë emra por më pranë emërimit si administrator duket se është Dodë Kalori. Më tej në Gurin e Zi nuk përjashtohet mundësia e rikthimit të ish-kryekomunarit Broz Marku ndërkohë që përflitet edhe Valentin Marku. Bërdica gjithashtu ka një emër të njohur që mund të jetë administrator siç është ish-kandidati për kryetar komune Besnik Tahiri. Në Postribë administrator mund të jetë kryetari i PD atje Altin Shabaj ndërsa në Anën e Malit ish-kryekomunari Arben Ceni. Asnjë prej emrave nuk është ende zyrtar dhe emërimet e tyre pritet të bëhen deri me 10 shtator nga kryebashkiakja Voltana Ademi e cila pas propozimeve do të shohë edhe kriteret për të marrë më pas vendimet përkatëse.

Artikulli paraprakVDES 27 VJEÇARI NË AKSIN SHKODËR-KOPLIK
Artikulli tjetërSAMITI I VJENËS, SHQIPËRIA DO MBËSHTETJË NË KATËR FUSHA