Një 22-vjeçar në kërkim nga drejtësia është arrestuar nga policia në Pikën e Kalimit Kufitar Hani i Hotit në tentativë për t’u arratisur nga vendi. I arrestuari është V. S. banues në Shkodër.
Gjykata kundër tij ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” në mungesë për veprat penale ‘’Shkatërrim i pronës”, “Shkatërrimi i pronës me zjarr’’ dhe “Rebelimi i të burgosurve’’.
22-vjeçari gjatë kohës që ka qenë duke vuajtur dënimin për një vepër tjetër penale në burgun e Reçit në 22 mars 2020 në bashkëpunim me disa të burgosur të tjerë akuzohet se u ka vendosur zjarrin ambienteve të dhomave të burgimit dhe ka kundërshtuar punonjësit e burgut gjatë kryerjes së detyrës.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër.