Kreditë, të cilat kanë më shumë se tre muaj që nuk kthehen në banka arritën në 11.34% përqind të totalit të huasë në muajin janar, sipas statistikave të publikuara nga Banka e Shqipërisë. Në raport me dhjetorin, ku tregues është rritur me 0.26 pikë përqindje.

Përgjithësisht janari shoqërohet me rritje të këtij treguesi, pasi ai zbret në dhjetor si rrjedhojë e fshirjes që bëjnë bankat nga bilanci të kredive të këqija në fund të vitit.

Në vlerë absolute, huaja që nuk kthehet në afat në banka në muajin janar ishte 60 miliardë lekë, ose rreth 480 milionë euro. Në janar të një viti më parë, ky tregues ishte 74 miliardë lekë, ose rreth 580 milionë euro.

Treguesi i kredisë me probleme është ndihmuar dhe nga gjallërimi i aktivitetit të kredisë në muajin janar. Sipas të dhënave të tjera të Bankës së Shqipërisë,

stoku i huasë në fund të muajit janar arriti në rreth 537 miliardë lekë, me një rritje prej 0.72% në raport me fundin e muajit dhjetor. Rritja ka ardhur në pjesën më të madhe si rrjedhojë e zgjerimit të huadhënies në valutë për për bizneset.

Përgjatë gjithë vitit 2018, sistemi bankar ka parë një rënie të nivelit të kredive me probleme. Në dhjetor të vitit 2018, 11.08% e totalit të huave ishin në vonesë më shumë sesa 3 muaj, nga 13.28% që ishin në dhjetor 2017 dhe duke arritur në nivelin më të ulët nga 2010-a.

Në krahasim me shtatorin 2014, kur ky tregues arriti në nivelin më të lartë që nga vitet 2000, duke prekur 25%, huatë e pakthyera në afat kanë rënë ndjeshëm.

Sipas Bankës së Shqipërisë arsyet lidhen me ristrukturimin e kredive, çka ka çuar në fillimin e shlyerjes së huave problematike si dhe të fshirjes nga bilanci të kredive që nuk ktheheshin prej më shumë se tre vitesh.

Artikulli paraprakPROTESTAT DJE NË FIER, 50 TË SHOQËRUAR NGA POLICIA
Artikulli tjetërDEL UDHËZIMI/ JA TAKSAT QË DO TË PAGUANI PËR PAGAT DHE FITIMIN