Paratë që u grabitën në një bankë të nivelit të dytë në Laç pasditen e së premtes i përkisnin kompanisë së kolaudimit të automjeteve në këtë qytet. Nuk sqarohet nëse ishte xhiroja ditore apo e disa ditëve bashkë. Nuk jepet ende as sasia e parave të grabitura, ndërsa është zbardhur dinamika e ngjarjes. Sipas burimeve nga grupi hetimor grabitja ka ndodhur sapo mjeti i blinduar i kompanisë private kishte dorëzuar lekët në bankë. Roja ishte i paarmatosur dhe tre autorët me ndihmën e sendeve të forta kanë thyer xhamin e derës kryesore.
Duke qenë se banka nuk ka qenë e hapur për klientët brenda saj ndodheshin 7 punonjës që po përpunonin lekët. Nën kërcënimin e armës grabitësit kanë terrorizuar personat që ishin në bankë dhe më pas kanë marrë sasinë e parave. Më pas janë larguar fillimisht në këmbë dhe më pas kanë përdorur një automjet tip Land Rover.
Të njëjtat burime thanë se sinjali i bankës është aktivizuar rreth 15 minuta pasi ndodhi ngjarja dhe kjo nuk i ka dhënë mundësi policisë të reagoje menjëherë.
Grabitësit kanë pasur mundësi të larohen pa rënë në sy të uniformave blu. Në disa zona të Laçit u ngritën pika të shumta kontrolli për të kapjen e autorëve.
Në ndihmë të policisë së Kurbinit shkuan edhe Forca të Ndërhyrjes së Shpejtë nga Tirana dhe Shkodra.