Ngarkesa në pikën e kalimit kufitar të Muriqanit që lidh Shkodrën me Malin e Zi ka sjellë probleme gjatë ditës së sotme në regjistrimin e shtetasve që hyjnë dhe dalin nga Shqipëria në shtetin malazez përmes kësaj dogane. Fluksi kryesisht në dalje nga vendi ynë drejt Malit të Zi ka bërë që në disa momenti sistemi kompjuterik të jetë jashtë funksion gjë e cila ka sjellë një pritje për të gjithë personat që po shkonin drejt shtetit fqinj. Edhe pas rikthimit të sistemit, sërish nuk ka funksinuar siç duhet duke patur ngadalsi në procesin e regjistrimit në kompjuter në dalje dhe hyrje. Fluksi i automjeteve gjatë gjithë ditës lidhet me këtë fillim viti ku ende ka patur qytetar që nuk e kanë nisur punën.

Po ashtu Mali i Zi ka patur ditë pushimi duke festuar krishtlindjen ortodokse dhe një pjesë e tyre kanë zgjedhur të vijnë drejt Shqipërisë. Për shkak të këtij fluksi në dalje të doganës së Muriqanit, kjo pikë e kalimit kufitar gjatë ditës së sotme ka funksionuar me tre sportele. Njëri sportel për autobusët dhe dy sportele për automjetet e tjera. Edhe pse është punuar me tre sportele të ndryshme gjatë ditës në disa momente ka patur disa vonesa për shkak të sistemit kompjuterik që nuk ka funksionuar siç duhet. Ndërkohë gjatë tre ditëve të fundit në pikën e kalimit kufitar të Muriqanit kanë hyrë 1901 shtetas shqiptar dhe kanë dalë 2942 shtetas.

Po ashtu nga shifrat zyrtare nga dogana e Muriqanit janë regjistruar 2613 shtetas të huaj në hyrje dhe 3498 shtetas të huaj në dalje. Efektivët kanë qenë në gatishmëri të plotë për të orientuar drejtuesit e mjeteve në tre sportelet e doganës së Muriqanit. Pavarësisht vonesave të krijuara ditën e sotme, fluksi më i madh në pikën e kalimit kufitar të Muriqanit ka rënë ndjeshëm krahasuar me festat e fundvitit apo 3-4 ditët e para të janarit ku radhët ishin më të gjata e po ashtu edhe pritja për të kaluar nga Shqipëria drejt Malit të Zi.

 

Artikulli paraprakAMORTIZOHET RRUGA “KOMANI”, BANORËT KËRKOJNË INVESTIME
Artikulli tjetërPUNONJËSIT E PORTIT SHËNGJIN NË PROTESTË