KËSHILLI I MINISTRAVE MIRATON PROJEKTLIGJIN QË I JEP TË DREJTË PËR NJË VEPRIM TË TILLË. Detyrimet e papaguara të faturave të energjisë elektrike tashmë nuk do të mbeten vetëm në dëshirën e qytetarit nëse duan të lidhin marrëveshje apo jo me kompaninë e shpërndarjes dhe të zgjedhin të qëndrojnë pa drita.
Në mbledhjen e fundit, Këshilli i Ministrave ka miratuar një projektligj, i cili do të hyjë në fuqi 15 ditë pas publikimit në Fletoren Zyrtare, i jep të drejtë kompanisë së shpërndarjes që të nisë procedurën e ekzekutimit të detyrueshëm të debisë. Kështu të gjithë qytetarët të cilët kanë një kontratë me kompaninë OSHEE, por nuk paguajnë detyrimet në mënyrë të vazhdueshme, përveç ndërprerjes së energjisë elektrike OSHEE, ka të drejtë të ekzekutojë pasurinë e personit që ka kontratë me të, dhe mund të shkojë deri në sekuestrimin e shtëpisë apo biznesit. Ligji thekson: “Masa e sigurimit konsiston në vendosjen e barrës hipotekore mbi pasurinë e paluajtshme të klientit, që furnizohet me energji elektrike në bazë të kontratës së furnizimit e cila rezulton me detyrime të papaguara të energjisë elektrike”. Vendimi për të vendosur barrën hipotekore mbi pasurinë e paluajtshme për detyrimet e papaguara të energjisë elektrike, bëhet me shkrim nga personat e autorizuar të Furnizuesit. Në draftin e miratuar mbledhjen e të mërkurës thuhet se personi familjar që ka një borxh më të madh se 150 mijë lekë do t’i sekuestrohet pasuria, ndërsa për bizneset debitorë kufiri është mbi 2 milionë lekë të rinj. Deri në fund të shkurtit të gjithë debitorët kanë afat që të lidhin kontratat e reja dhe të përfitojnë ulje me 80 për qind të kamatëvonesave, në të kundërt me ligjin e ri do të mbahet nga pasuria e tyre edhe vlera e plotë e kamatës. Përveç kësaj, në ligjin e ri që pritet të hyjë në fuqi, “burgu” nuk përmendet në asnjë rast.