Energjia, Rama: Zerohen kamatëvonesat e pensionistëve, të tjerët 80% më pak
Qeveria do zerojë kamatëvonesat për faturat e papaguara te energjisë elektrike, për pensionistët, familjet me ndihmë ekonomike dhe personat me aftësi të kufizuar. Vendimin e komunikoi vetë kryeministri Rama, i cili tha se ky vendim është pjesë e paketës së solidaritetit, i cili bëhet i mundur me përmirësimin e menaxhimit të OSHEE-së pas një reforme që padyshim ishte e dhimbshme. “Për 66539 konsumatorë pensionistë, ata me ndihmë ekonomike dhe ata me status tjetër vështirësie do të zerohen të gjitha kamatëvonesat kundrejt një pagese simbolike vetëm 20 lek. 59461 konsumatorë të tjerë që nuk kanë ndonjë status të vështirësie, por që kanë paguar këstet 20 dhe 25 mijë lek, kamatëvonesat do të reduktohen në 80 %”, tha Rama. Sipas kryeministrit Rama paketa e solidaritetit për 2016-ën është në këto 25 vite, me e madhja. megjithatë mbetet pak për të ardhmen ku aspiron vendi. “Kjo paketë shembullore solidariteti është shumë për situatën dhe mundësitë e qeverisë së Shqipërisë, por është pak për të ardhmen që ne kemi për detyrë ta afrojmë”, shtoi ai. Nga falja dhe reduktimi i kamatëvonesave përfitojnë në total rreth 126 mijë konsumatorë.