VLASH LINADI ISHTE DEBITOR I ENERGJISË, MAS APEL DREJTUESVE .Ministria e Arsimit ka shkarkuar Drejtorin e Arsimit në Malësinë e Madhe Vlash Linadi, pasi ka rezultuar debitor i energjisë elektrike.Sipas Ministrisë së Arsimit, pas verifikimit të të gjithë dokumentacionit të paraqitur nga Drejtoria e Arsimit Rajonal Shkodër dhe ballafaqimit të tyre me të dhënat e derguara nga OSHEE, rezulton se drejtori i Zyrës Arsimore të Malësisë së madhe, është debitor në masën 130,490 lekë ndaj operatorit të shitjes së energjisë elektrike.
Nisur nga ky konstatim, i cilësuar nga MAS si i papranueshëm për një zyrtar të administratës shtetërore, Ministrja Lindita Nikolla, ka propozuar shkarkimin e Vlash Linadi sipas procedurave ligjore për shkelje të etikës dhe mos zbatimit të Urdhërit të Ministres së Arsimit dhe Sportit.Në komunikatën për shtyp, Ministrja Nikolla i bën thirrje të gjithë punonjësve arsimorë që të paguajnë energjinë elektrike, si një detyrim ligjor i shtetit të së drejtës.“Ministrja e Arsimit dhe Sportit, i bën thirrje të gjithë trupës së punonjësve në sistemin arsimor se detyrimi për pagesën e energjisë elektrike është një detyrim ligjor, pasi në një shtet të së drejtës, në një vend demokratik, të gjithë janë të barabartë përpara ligjit. Kultura e zbatimit të ligjit duhet të fillojë që nga bankat e shkollave, me përfshirjen e mësuesve, pedagogëve, studentëve, prindërve dhe komunitetin. Vetëm kështu, duke edukuar qytetarë europian të një vendi europian, mund të kontribuojmë së bashku në ndërtimin e një të nesërme krejtësisht tjetër për vendin tone.” thuhet në Komunikatën e MASMospagesa e energjisë elektrike, nga ana e punonjësve të administratës do të shoqërohet me shkarkimin e tyre, ashtu siç është paralajmëruar nga ana e qeverisë, në kuadër të aksionit të OSHEE-së.Javën e kaluar me urdhër të kryeministrit Edi Rama, u shkarkua edhe zëvendëministrja e Mjedisit Diana Bejko, e cila nga verifikimet rezultonte debitore e energjisë në shtëpinë e dytë të saj në Velipojë.