Presidenti turk zbulon se homologu i tij kosovar Hashim Thaçi ishte në dijeni të operacionit të fshehtë për arrestimin dhe ekstradimin e 6 shtetasve turq, të akuzuar si mbështetës të klerikut në arrati Fetullah, kundërshtari i tij politik. Përpara mijëra mbështetësve në porvincën jugore Hatay, Erdogan falenderoi Thaçin, ndërsa shprehu sërish kritika për Kryeministrin Haradinaj.

“Operacioni i fundit në Kosovë nuk është as i pari as i fundit. Falenderoj Presidentin e Kosovës. Ndërsa Kryeministrit i them ‘turp’. Largimi nga detyra i kreut të Inteligjencës e ministrit të Brendshëm, të cilët na i dorëzuan anëtarët e organizatës terroriste FETO është një gabim historik. Ata bënë detyrën e tyre”.

Por kreu i Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli i doli në mbrojtje Haradinajt. Në një postim në rrjetin social Facebook, Veseli tha se Kosova është shtet sovran dhe nuk i nënshtrohet presioneve të jashtme. Ai paralajmëroi të tjera ndëshkime për ata që u bënë pjesë e operacionit të fshehtë.

“Më vjen keq që nuk ka zyrtar nga partia ime se e kisha shkarkuar për dy minuta. Do të shkarkohet çdokush që ka përgjegjësi”.

Kriza në marrëdhëniet me Turqinë u përmend edhe në meshën e mesnatës të Pashkëve në Prishtinë nga Imzot Dodë Gjergji, i cili ekstradimin e turqve, e quajti prerje në besë.

“Këta që kanë prerë mikun në besë dje, do të jenë nesër të gatshëm të dorëzojnë edhe Kryeministrin”.

Të enjten, 6 shtetas turq pjesë e rrjetit të institucioneve arsimore të Fetullah Gylenit u arrestuan dhe u ekstraduan fshehurazi drejt Turqisë. Presidenti turk tha se operacioni ishte kryer në mënyrë të fshehtë si bashkëpunim mes shërbimeve sekrete të dy vendeve.

Artikulli paraprakPARASHIKIMI I MOTIT 2 PRILL
Artikulli tjetërFEMIJERI NE PERSEKUCION, REAGON DEPUTETI LORENC LUKA