Duke folur gjatë së hënës në kuadër të punimeve të samitit të Parisit mbi ndryshimet klimatike, Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan është shprehur se do të ishte i gatshëm të largohej nga posti aktual, nëse do të provohej bashkëpunimi i Turqisë me Shtetin Islamik.

“Nuk jemi aq të pandershëm sa të arrijmë deri në pikën, ku të mund të blejmë naftë kontrabandë nga terroristët. Nëse kjo akuzë do të provohej, sigurisht qoftë edhe detaji më i vogël për këtë, atëherë unë do të jepja dorëheqjen nga Presidenca. Nëse ekziston qoftë edhe një provë e vetme, atëherë kushdo që na akuzon le ta paraqesë atë. Ne sigurisht që do ta merrnim në konsideratë”, besohet të ketë thënë Erdogan, i cituar nga agjencia ruse e lajmeve “Itar Tass”. Presidenti Erdogan kishte thënë më herët se qeveria e tij do të vepronte gjithashtu në mënyrë “të kujdesshme, të durueshme dhe jo e ndikuar emocionalisht”, përpara se të ndërmerrte masa në kundërpërgjigje të vendimit të Rusisë për t’i vendosur sanksione Turqisë. Erdogan i quajti këto akuza tërësisht si shpifje, ndërkohë që ka premtuar se Turqia do të punojë për t’u siguruar se marrëdhëniet me Rusinë, furnizuesin kryesor energjetik të saj, të mos dëmtohen tërësisht. Marrëdhëniet dypalëshe janë lëkundur ndjeshëm që prej aktit të 24 nëntorit, mbi kufirin siriano-turk.

Artikulli paraprakBARDULLA: I BINDUR PËR REZULTAT TË VLLAZNISË NË LAÇ
Artikulli tjetërRUSIA PO PËRDOR ARMË KIMIKE NË LUFTË NDAJ SIRISË