Edhe pse merkatoja nuk ka filluar akoma zyrtarisht, te Vllaznia po mendojnë dhe po punojnë dita-ditës për të përforcuar ekipin. Një nga emrat e rradhës që po lakohet si një përforcim i mundshëm për ekipin kuqeblu është ish-kapiteni i Tiranës, Erion Hoxhallari, i cili ka ndërprerë bashkëpunimin me bardheblutë dhe tashmë, është futbollist i lirë. Po si qëndron e vërteta e bisedimeve të Vllaznisë me Hoxhallarin? Nga sa mësojnë burime të “Star Plus”, ish-kapiteni i Tiranës ka qenë shumë pranë firmës me Vllazninë, nisur edhe nga marrëdhëniet e mira që drejtori Tefik Osmani ka patur me mbrojtësin, por një ofertë nga jashtë për Hoxhallarin duket se ka ndryshuar planet për të dy palët. Me gjasa, tashmë ish-mbrojtësi i Tiranës do ta vijojë karrierën e tij jashtë vendit, pavarësisht interesimit në Shqipëri nga ekipe me emër si Vllaznia, Partizani, Dinamo dhe Elbasani, por edhe nga klubet e Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.
Nga ana tjetër, dy mbrojtësit e krahëve, Geralb Smajli dhe Esin Hakaj duken larg rinovimit me kuqeblutë. Të dy ata kanë oferta dhe të paktën, për momentin rinovimi i tyre me Vllazninë duket më shumë larg se sa afër. Sa i takon mbrojtësit të majtë Esin Hakaj, ai është drejt largimit nga Superiorja, teksa mësohet se është në fokusin kryesor të disa ekipeve me emër në Hungari dhe Rumani. Megjithatë, këto nuk janë pistat e vetme për mbrojtësin e majtë, i cili mësohet se ka oferta konkrete nga ekipe të Superligës së Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut. Gjithsesi, drejtuesit e klubit shkodran dhe konkretisht, drejtori sportiv Tefik Osmani vijon të jetë në bisedime me Hakajn, ku mësohet se atij i është bërë edhe oferta konkrete.
Tashmë, gjithçka është në duart e mbrojtësit të majtë për të vendosur për të ardhmen e tij. Nga ana tjetër, pak a shumë e njëjta situatë është edhe me mbrojtësin e djathtë, Geralb Smajli. Për futbollistin e Kombëtares U-21 kanë mbërritur disa oferta si nga brenda, ashtu edhe jashtë Superiores, teksa ekipe elitare në Shqipëri kanë shprehur interesimin e tyre për Smajlin. Tashmë, mbetet që të shikohet nëse Smajli do të firmosë për ndonjë klub tjetër apo do të vijojë të qëndrojë për t’i shërbyer Vllaznisë në krahun e djathtë të mbrojtjes.