Dueti i shqiptarit Ermal Meta me Fabrizio Moro është shpallur fitues i edicionit të 68-të të Sanremo-s në Itali. Kënga e tyre “Non mi avete fatto niente” (Nuk më keni bërë asgjë) triumfoi pas votave të jurisë profesioniste dhe atyre të publikut, me më shumë se 50% të votave.
“Non mi avete fatto niente” rrezikoi t’i përjashtonte nga konkurrimi dy kantautorët në bazë të akuzave për plagjiaturë të një kënge të prezantuar në “Sanremo”-n e të rinjve të vitit 2016, por gjatë konferencës për shtyp para medieve, Fabrizio Moro tha se këngën në fjalë e kishte shkruar po ai dhe risjellja e tekstit të saj nëpërmjet produksionit të sivjetshëm ishte një rikthim i vlerave që nuk duhet të harrohen. Pas vlerësimeve të bëra, edhe “Rai” doli në përfundimin se kënga mund të vazhdonte garën, nga e cila dy artistët dolën triumfues. Ndërkohë që në vendin e dytë u pozicionua grupi “Lo stato Socciale” dhe në të tretin këngëtarja “Analisa”. Kënga është një himn kundër terrorizmit dhe në tekstin e saj përfshihen shumë raste të ndodhura në të shkuarën, por që lajtmotiv mbetet vargu “nuk më keni bërë asgjë”, që përbën edhe titullin e saj. Triumfi në “Sanremo” u jep mundësinë dyshes Ermal Meta dhe Farbrizio Mooro të përfaqësojnë Shqipërinë në edicionin e këtij viti të Eurovision-it, i cili do të zhvillohet në Lisbonë të Portugalisë.
Ermal Meta është shqiptari i tretë që ngjitet në skenën e “Sanremo-s”, pas Ana Oxës, e cila ka triumfuar dy herë në këtë ngjarje të madhe, në vitet 1989 dhe 1999. Elsa Lila u ngjit në këtë skenë të madhe në vitet 2003 dhe 2007. Shqipëria ka shënjuar jo pak në festivalin më të vjetër të muzikës së lehtë në Evropë.