Soprano lirike shqiptare Ermonela Jaho është përfshirë në listën e tetë këngëtarëve më të mirë lirikë në garë për çmimin prestigjoz “International Opera Awards”.
Këto vlerësime të cilësuar si çmimet “Oscars” të muzikës klasike, jepen çdo vit për kategori të ndryshme të operas, duke përfshirë të gjithë elementët që përfshijnë këtë zhanër, që nga këngëtarët lirikë, drejtuesit e orkestrave, premira botërore të shfaqjeve, etj. Soprano shqiptare është në garë për Çmimin e Lexuesve të revistës “Opera Magazine”, në një listë prej tetë konkurentësh nga e gjithë bota, e përzgjedhur nga juria ndërkombëtare që përfshin emrat më të rëndësishëm botëror në fushën e operas. Kryetari i jurisë, John Allison, redaktor në “Opera magazine” dhe kritik i muzikë klasike për “The Daily Telegraph”, ka shpallur listën e shkurtër në faqen online, ku gjendet edhe emri i Ermonelës. Për këtë çmim votimi është i hapur dhe mund të bëhet në faqen online të Opera Awards, http://www.operaawards.org në ndarjen për votimet 2016. Ndarja e çmimeve do të bëhet në një ceremoni të madhe më 15 maj 2016 në Londër.