Policia Vendore e Shkodrës do të ketë një drejtues të ri. Në këtë mënyrë drejtori aktual Hamdi Fiora do të largohet për t’i lënë vendin kreut të ri të policisë së Shkodrës Ervin Hodaj. Hodaj më përpara ka drejtuar policinë e Tiranës dhe atë të Fierit ndërsa ka një karrierë të gjatë në drejtorinë e përgjithshme në sektorin kundër drogës. Në këtë mënyrë drejtori aktual Hamdi Fiora largohet pas një viti në policinë e Shkodrës, një vit i cili u shoqërua edhe me disa ngjarje të rënda kriminale përfshirë edhe vrasjet.
Fiora do të rikthehet si drejtues i forcave special, detyrë që e ka mbajtur edhe më përpara. Ndërkohë ndryshime ka edhe në radhët e drejtorive të tjera të policisë së shtetit. Kështu Tonin Vocaj i cili deri më tani ishte zëvendës drejtor i përgjithshëm është emëruar drejtor i policisë së Tiranës në vend të Lorenc Panganikës. Ky i fundit do të jetë pjesë e akademisë së policisë.
Ndërsa nën drejtor në policinë e shtetit në vend të Vocaj do të jetë Sokol Bizhga. Në Vlorë është larguar Gentian Berberi duke u zëvendësuar nga Ermal Muça. Niko Brahimaj do të jetë drejtor i policisë së Fierit ndërsa Lutfi Minxhozi është emëruar drejtor për Marrëdhëniet Ndërkombëtare dhe Gent Ndoj u emërua drejtor i Krimit Ekonomik në Drejtorinë e Përgjithshme. Të gjitha këto lëvizje në policinë e shtetit janë bërë me firmën e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Muhamet Rrumbullaku.
Këto ndryshime në radhët e policisë janë të zakonshme pasi kalon një periudhë mbi një vit. Ndërkohë drejtuesit e rinj të policisë në qarqet ku ka ndryshime pritet që të bëjnë disa lëvizje edhe brenda drejtorive. Kështu pritet që zëvendësime pozicionesh të ketë edhe në policinë vendore të Shkodrës nga drejtori i ri Ervin Hodaj. Qarku i Shkodrës mbetet ndër më të vështirët për shkak të ngjarjeve të rënda kriminale herë pas here apo edhe kultivimit të bimëve narkotike si dhe trafikut të drogës drejt Malit të Zi.