Tensionet në veri të Kosovës janë në vëmendje të ndërkombëtarëve, e pikërisht për të arritur një zgjidhje të situatës mes dy palëve, dy të dërguarit e posaçëm të SHBA dhe BE-së për dialogun Kosovë-Serbi do të zbarkojnë ditën e sotme në Prishtinë. I dërguari i SHBA-së, për Ballkanin Gabriel Escobar dhe i dërguari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak do të zhvillojnë një takim ‘kokë më kokë’ me kryeministrin Albin kurti, në fokus të së cilit do të jetë tensionet në veri dhe marrëveshja e nënshkruar në Ohër mes dy palëve.
Zyra e Kryeministrit të Kosovës njofton se takimi do të zhvillohet në orën 20:00. Një ditë më pas, të martën Escobar dhe Lajçak do të mbërrijnë në Beograd dhe do të priten nga presidenti Aleksandër Vuçiç.
Sakaq Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, ka thënë se do të marrë pjesë në zgjedhje nëse ato do të ripërsëriten, kur t’i plotësohen dy kushte. Ajo ka thënë se forcat speciale të Policisë së Kosovës duhet të tërhiqen nga veriu i Kosovës, dhe që të formohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe.
Ndërkohë, ditën e sotme situata paraqitet e qetë në veri të Kosovës, ku deri më tani janë mbledhur pak protestues. Në Zveçan janë parë edhe kryetari dhe nënkryetari i Listës Serbe, Goran Rakiç dhe Igor Simiç. Situata në veri të Kosovës është ende e brishtë, prej 29 majit serbët vijojnë protestat para ndërtesave komunale, ku kryetarët e rinj të zgjedhur u futën me ndihmën e policisë në zyra, çka solli edhe reagimin e serbëve.
Pavarësisht reduktimit të tensioneve, retorika e dy palëve në Kosovë e Serbi vijon të jetë e ashpër. Në një intervistë për BBC mëngjesin e së dielës, Albin Kurti paralajmëroi se nuk do të tërhiqet dhe se krerët e 3 komunave duhet të qëndrojnë në zyrat e tyre dhe se nuk mund të bëhet kompromis me republikën demokratike. I dërguari i SHBA Gabriel Escobar i bëri një tjetër thirrje Kurtit për të gjetur zgjidhje për veriun.