I dërguari i Uashingtonit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha se ka pasur një bisedë të mirë dhe të hapur me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, sa i përket çështjes së dinarit. Pas takimit të mbajtur në Qeverinë e Kosovës, emisari amerikan deklaroi për mediat më 14 mars se kryeministri kosovar i ka premtuar se do të shqyrtojë disa prej propozimeve të tij që kanë të bëjnë me çështjen e ndalimit të përdorimit të dinarit serb. Ai tha se askush nuk mund të preket kur dëgjon se si pjesa më e cenueshme e shoqërisë nga komuniteti serb nga rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës, që parasheh euron si valutën e vetme për kryerjen e pagesave në Kosovë.

“Kryeministri e pranoi këtë dhe premtoi se do të shikonte disa nga propozimet që ia paraqita sot”, tha Escobar.

Emisari amerikan tha se SHBA-ja mbetet parnerja më e besueshme dhe më e angazhuar e Kosovës. Por, tha se çështja e dinarit paraqet sfida në raportet me Kosovën.

“Të jem i sinqertë, këto sfida janë për shkak të trajtimit tani që po i bëhet minoritetit serb. Është për keqardhje që duhet të kalojmë nëpër këtë situatë. Por, rregullorja e BQK-së për dinarin ka shkaktuar probleme për disa prej qytetarëve e këtij shteti dhe jemi shumë të shqetësuar. Ne do të vazhdojmë të punojmë për këtë çështje, por mendoj se është një çështje urgjente humanitare të cilën duhet ta adresojmë menjëherë”, tha Escobar.

Escobar nisi vizitën e tij në Kosovë një ditë më herët, kur u takua me presidenten Vjosa Osmani, me krerët e partive opozitare dhe me përfaqësuesit politikë të serbëve në Kosovë. Pas takimit me Osmanin, emisari amerikan u bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë që të zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura në dialog. Ndërkaq, pas takimit të tyre me emisarin amerikan, disa politikanë serbë u shprehën të “inkurajuar” me qasjen e SHBA-së ndaj disa vendimeve të fundit të Qeverisë së Kosovës dhe thanë se kanë marrë garanci nga ai për zgjidhje “në favor të komunitetit serb”. Para nisjes së vizitës në Kosovë, Escobar deklaroi se zbatimi i vendimit i autoriteteve të Kosovës për të ndaluar përdorimin e dinarit serb, ishte “jokompetent” dhe “katastrofik”. Rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës, që ka hyrë në fuqi më 1 shkurt, parasheh euron si valutën e vetme për pagesa në Kosovë. Shteti serb ndan miliona euro për serbët në Kosovë pasi ua paguan atyre në dinarë – përmes një sistemi paralel – rrogat, pensionet dhe ndihmën shtesë. Vendimi për rregulloren e BQK-së është kritikuar nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian, që kanë argumentuar se ai është marrë pa konsultime paraprake dhe pa marrë për bazë ndikimet negative te popullata serbe që jeton në Kosovë. Uashingtoni ka kërkuar që Kosova të shtyjë zbatimin e vendimit, ndërkaq BE-ja ka kërkuar që për këtë çështje të gjendet një zgjidhje në kuadër të dialogut në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga blloku evropian.

Artikulli paraprakÇËSHTJA E DINARIT DHE DIALOGU KOSOVË-SERBI, NIS TAKIMI MES ESCOBARIT DHE KURTIT
Artikulli tjetër21 JANARI NË SPAK, BASHA: NUK KAM ASGJË PËR TË FSHEHUR