I dërguari i Posaçëm i SHBA-ve për rajonin e Ballkanit Perëndimor, Gabriel Escobar, ka vizituar sot Beogradin ku është takuar me presidentin serb, Aleksandër Vuçiç. Pas takimit me Escobar, Vuçiç në një postim të bërë në rrjetet sociale tha se biseda kishte qenë e hapur dhe korrekte dhe se besonte në përmirësimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes SHBA-ve dhe Serbisë. Ndërsa në komunikatën e bërë publike nga presidenca e Serbisë, thuhet se gjatë takimit është diskutuar procesi i normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën si dhe formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
“Presidenti Vuçiç përsëriti qëndrimin e pandryshuar të Serbisë në lidhje me ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon dhe zgjidhjen e çështjeve të hapura ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, me theks në zbatimin e plotë të marrëveshjeve të nënshkruara deri më tani dhe ruajtjen e interesave shtetërore dhe kombëtare”, thuhet në njoftim.
Vizita e Escobar në Ballkan, vjen pak ditë para mbajtjes së takimit mes Kurtit dhe Vuçiç në Ohër të Maqedonisë së Veriut, ku nën ndërmjetësimin e të dërguarit të posaçëm të BE-së, Miroslav Lajçak, pritet firmosja e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve. Pas Beogradit, Escobar pritet të vizitojë edhe Kosovën për t’u takuar me Kurtin para mbajtjes së takimit në Ohër.