Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borell, tha sot se marrëveshja ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, e arritur në takimin në Ohër, u bë ligjërisht e detyrueshme në momentin që Bashkimi Evropian doli me njoftimin.

“Marrëveshja nuk u nënshkrua për arsye ligjore, por të dyja palët ranë dakord që deklarata ime (pas takimit të Ohrit) përfaqëson një angazhim për të dyja palët që të angazhohen plotësisht për detyrimet që dalin nga kjo marrëveshje dhe zbatimi i saj”, tha Borell pas takimit të ministrat e punëve të jashtme të BE-së.

Borell ka njoftuar sot krerët e diplomacisë evropiane për rezultatin e takimit të liderëve të Kosovës dhe Serbisë, Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiç në Ohër, më 18 mars. Ai theksoi se BE-ja do të monitorojë procesin e zbatimit të gjithçkaje që është rënë dakord dhe shtoi se ka çështje urgjente që duhet të zbatohen menjëherë, siç është formimi i Bashkësisë së Komunave me shumicë serbe në Kosovë.

“Marrëveshja duhet të zbatohet sipas një kalendari të caktuar. Ky kalendar kërkon që secila palë të bëjë pjesën e vet. Nuk duhet të ndërtojmë një shtëpi nga çatia, por nga gjërat urgjente. Ka gjëra që janë shumë urgjente.

Në aneksin (zbatues) thuhet qartë se Kosova angazhohet menjëherë në formimin e Komunitetit në Kosovë. Ne do të monitorojmë mënyrën dhe modalitetet në të cilat ata do ta zbatojnë këtë obligim, i cili është pjesë integrale e rrugës evropiane të Kosovës”, tha Borell. Shefi i diplomacisë evropiane nuk ka dashur të komentojë deklaratat e presidentit serb Aleksandër Vuçic, i cili një ditë pas takimit të Ohrit tha se nuk do të zbatojë pjesë të marrëveshjes që kanë të bëjnë me anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara.

Artikulli paraprakDEGA E PARTISË DEMOKRATIKE VAU DEJËS, MBLEDHJE ME STRUKTURAT E SAJ PËR KANDITATËT E ZGJEDHJEVE TË 14 MAJIT.
Artikulli tjetër4 ORË E GJYSËM BISEDIME, PËRFUNDON TAKIMI MES PUTIN DHE XI NË MOSKË