ETA, grupi separatist bask që vrau rreth 850 persona gjatë fushatës gjysmë shekullore për të siguruar pavarësinë nga Spanja, njoftoi shpërbërjen e tij të plotë.
Deklarata u bë përmes një letre që mban datën 16 prill dhe u dërgua në një numër institucionesh politike, njoftoi agjensia spanjolle e lajmeve EFE.
Njoftimi vjen pak më shumë se një vit pasi grupi dorëzoi armët, pas një armëpushimi të vitit 2011.
ETA, Atdheu Bask dhe Liria, u themelua në vitin 1959 në përgjigje të zhgënjimit të ndjerë nga Baskët gjatë regjimit represiv të gjeneralit Francisco Franco.
Qëllimi i saj ishte të fitonte pavarësinë nga Spanja dhe të krijonte një shtet në veri të Spanjës dhe Francës jugperëndimore.
Grupi lëshoi një deklaratë muajin e kaluar përmes të cilës u kërkoi falje familjeve të viktimave të tij, duke shtuar se pranon “përgjegjësinë e drejtpërdrejtë” për krimet e tij.
“Ne e dimë se kemi shkaktuar shumë dhimbje gjatë kësaj periudhe të gjatë lufte të armatosur, përfshirë dëme që nuk mund të rikuperohen kurrë.
Ne dëshirojmë të tregojmë respektin tonë për ata që u vranë ose u plagosën nga ETA dhe ata që u prekën nga konflikti.Ndjejmë me të vërtetë keqardhje.”
Qeveria spanjolle tha se do të vazhdojë të ndjekë anëtarët e ETA, pavarësisht shpërbërjes së vetëdeklaruar.
“Qeveria spanjolle gjithmonë ka ruajtur pozicionin e saj: anëtarët e ETA nuk kanë bërë asgjë për të ndaluar vrasjen e njerëzve dhe nuk do të arrijnë asgjë përmes një deklaratë që ata e quajnë ‘shpërbërje’“, tha ministri i Brendshëm spanjoll Juan Ignacio Zoido për agjencinë spanjolle të lajmeve EFE.
“Forcat spanjolle të sigurisë do të vazhdojnë të ndjekin terroristët kudo që janë.”
ETA kreu një numër vrasjesh dhe bombardimesh politike gjatë regjimit të Frankos, cikël të cilin e vazhdoi edhe pas vdekjes së diktatorit.
Ndikimi i grupit ka rënë ndjeshëm për shkak të një refuzimi të taktikave të tij të dhunshme.
Kushtetuta spanjolle e vitit 1978 gjithashtu siguroi se rajonit iu dha më shumë autonomi, duke përfshirë forcën e vet policore, gjuhën, arsimin dhe të drejtat fiskale.
Në vitin 1973, grupi vrau kryeministrin spanjoll Luis Carrero Blanco në një sulm me makinë.
ETA gjithashtu shkaktoi zemërim në vitin 1987, ku bombardimi i një automjeti të një supermarketi në Barcelonë vrau 21 vetë, duke përfshirë një grua shtatzënë dhe dy fëmijë, ngjarje që u dënua nga e gjithë bota.