Një shkodran që jeton prej vitesh në Itali ka shprehur dëshirën për të qenë trajneri i ri i Vllaznisë pas dorëheqjes së Luan Zmijanit nga ky post.

Quhet Eugent Zeka dhe thotë se disponon diploma dhe liçenca si trajner profesionist i niveleve të larta. Në letrën e hapur drejtuar kryebashkiakes, Zeka kërkon që të jetë trajner i Vllaznisë duke parë situatën e vështirë në të cilën ndodhet ekipit.  “Si ju dhe të gjithë dashamirësit e sportit të futbollit, edhe unë ndihem keq dhe vuaj shpirtërisht për situatën e vështirë që po përjeton Vllaznia. Ju shkruaj për t’ju prezantuar në mënyrë të hapur dhe të sinqertë kandidaturën time për të drejtuar skuadrën e Vllaznisë. Kandidatura ime lidhet me dëshirën që të prezantoj publikisht dëshirën dhe ëndrrën për t’u kthyer dhe për t’i shërbyer futbollit në Shkodër. 

VLLAZNIA, ZEKA ËSHTË NJË SHKODRAN QË JETON NË ITALI

Ndryshe nga ata që refuzojnë apo kthejnë kurrizin Vllaznisë, kur ajo ndodhet në ditë të vështira, unë jam i gatshëm edhe më shumë për t’ju gjendur pranë me gjithë zemër”-thotë Zeka. Më tej shkodrani që dëshiron të bëhet trajner i Vllaznisë vijon duke thënë se: “Të mirët njihen në ditë të vështira. Ndryshe nga ata që presin t’i thërrasin e lusin përmes agjentëve të tyre, unë nuk e kam për turp, përkundrazi e quaj nder të ofroj personalisht gatishmërinë dhe kontributin profesional për skuadrën time të zemrës. Ju lutem t’më orientoni çfarë rruge të ndjek apo t’më këshilloni ku mund të dërgoj dhe prezantoj kandidaturën time. Shpresoj e uroj në një përgjigje tuajën, kuptohet brenda mundësive tuaja kohore”-përfundon letrën e hapur Eugent Zeka drejtuar kryebashkiakes Voltana Ademi për të qenë trajneri i ri i Vllaznisë.

Artikulli paraprakMAQEDONIA PROVOKON, “SHQIPTARËT JANË VRASËS”
Artikulli tjetërTIFOZËT E VLLAZNISË PROTESTË PËRPARA BASHKISË