Shqipëria shkon në Europianin 2016 si ekipi që merr pjesë për herë të parë në një ngjarje kaq të rëndësishme futbolli.
Ajo shihet gjithashtu si një ekip që nuk ka ç’të humbë, dhe kjo do të thotë se ata mund të sjellin të papritura në ndeshjet e këtij turneu. Është pika kulmore e një ekipi kombëtar që drejtohet nga trajneri italian Gianni De Biasi, i cili arriti një farë suksesi në përpjekjet e kualifikimit për Botërorin 2014.
“Shqipëria arrin për herë të parë fazën finale të një turneu të rëndësishëm siç është Euro 2016. Mendoj se kjo është një arsye e madhe krenarie dhe gëzimi për gjithë vendin dhe tifozët. Jemi të gjithë mjaft kureshtarë për të parë se ç’mund të bëjmë në një turne të tillë ku janë ekipet më të mira” ka thënë Gianni De Biasi.
Shqipëria shihet si një ekip që nuk ka ç’të humbë, pra ata mund të sjellin të papritura në ndeshjet me Rumaninë, Francën dhe Zvicrën. Ndeshjen e parë Shqipëria do ta ketë me Zvicrën në Lens më 11 qershor.
“Jo, ne nuk duam thjesht të marrim pjesë, por do të përpiqemi në maksimum. Synojmë të kalojmë në fazën e dytë. Duke patur parasysh se dy nga katër skuadrat në grup do të kalojnë, shpresojmë ta arrijmë këtë synim. Për këtë duhet të punojmë shumë brenda mundësive tona duke kapërcyer sa të jetë e mundur kufizimet.”
Mbrojtësi i Bazelit, Taulant Xhaka mendohet se do të bëjë një figurë të mirë. Ai do të vihet përballë të vëllait Granit, i cili luan për Arsenalin dhe Zvicrën.
“Në finalet e Evropianit besoj është hera e parë që dy vëllezër luajnë për dy vende të ndryshme. Ka ndodhur më parë në botëror me vëllezërit Boateng. Vëllezërit Xhaka do të luajnë kundër njëri-tjetrit. Kur ata të dalin në fushë, secili do të luftojë për fanellën që mban“.
Në ndeshjet kualifikuese Shqipëria doli e dyta në grup, pas Portugalisë dhe duke lënë prapa Danimarkën. Në mbrojtje dhe në sulm, ekipi është ndoshta më i fortë se asnjëherë tjetër.
“Mendoj se Lorik Cana është lojtari më me përvojë në ekip. Lojtarët me përvojë që kanë marrë pjesë edhe në kampionate të tjera mund të japin kontribut të madh për lojtarët më të rinj dhe të bashkëpunojnë në mënyrë vendimtare për zhvillimin e ekipit.”
Që nga arritja e tij në Shqipëri në vitin 2011, De Biasi ka përdorur një sistem që ka në qendër zhvillimin e aftësive përshtatëse dhe punën në grup mes lojtarëve, për t’i bërë ata sa më elastikë në detyrat që kryejnë në fushë.
Lojtarëve u pëlqen ky sistem dhe po aplikojnë pikërisht këtë mënyrë loje, me ritëm të lartë dhe me taktika presingu në përpjekjet për të zënë një vend në Europianin e tanishëm.