FITORE ME GOLEADË PËR ANGLINË DHE ZVICRËN, SPANJËS I MJAFTON NJË GOL I MORATA-S. Ndeshja mes Malit të Zi dhe Rusisë, e vlefshme për grupin D të eliminatoreve të Europianit, është ndërprerë pas goditjes me fishekzjarr të portierit rus, Igor Akinfev.
Takimi mes dy skuadrave nisi i tensionuar me tifozët vendas që krijuan një atmosferë mbytëse prej flakadanëve dhe fishekzjarrëve në stadium. Në minutën e dytë, Akinfev u godit në kokë nga një fishekzjarr i hedhur nga një tifoz pas krahëve të tij dhe përfundoi menjëherë në shesh. Mjekët janë futur menjëherë në fushë dhe pas mjekimit të parë ai është drejtuar për në spital. Përsa i përket ndeshjeve të tjera pothuajse nuk pati asnjë surprizë, madje Anglia, Sllovenia, Zvicra dhe Austria, arritën të fitonin me goleadë ndaj kundërshtarëve të tyre, të cilët ishin dukshëm inferiorë. Ndërkohë në Spanjë, vendasit luajtën kundër Ukrainës, duke arritur një fitore minimale. Goli i vetëm i takimit u shënuan nga Morata. Një fitore të rëndësishme ka marrë Bjellorusia në Maqedoni, duke mundur vendasit 1-2.