DE BIAZI-CANA PËRPARA MEDIAVE SHPREHEN TË BINDUR PËR TË ARRITUR NJË SUKSES. Tranjeri Xhani De Biazi dhe kapiteni Lorik Cana janë të sigurtë se Shqipëria do të marrë një rezultat pozitiv në ndeshjen e të dielës përballë Armenisë.

Gjatë konferencës për shtyp, De Biazi la pak të kuptohet për formacionin, teksa vlerësoi atmosferën e krijuar në skuadër. Sipas tij, kuqezinjtë kanë dhënë maksimumin gjatë kësaj jave përgatitjesh dhe tashmë priten rezultatet. Duke folur për takimin, De Biazi u shpreh se skuadra është përgatitur mirë taktikisht. Lorik Cana, i cili do të drejtojë skuadrën nga katërkëndëshi i gjelbër u shpreh se pavarësisht disa mungesave, fitorja nuk duhet vënë në diskutim. Lideri i kuqezinjve evidenton përmirësimin e skuadrës gjatë kësaj kohe duke theksuar se suksesi është objektivi i grupit. Ndërkohë Arlind Ajeti dhe Naser Aliji nuk do të jenë të gatshëm për Shqipërinë në ndeshjen e së dielës me Armeninë. Dy mbrojtësit e grumbulluar nga De Biazi nuk kanë marrë ende lejen nga FIFA për t’u aktivizuar me kuqezinjtë, pasi më parë kanë mbajtur veshur fanellën e Zvicrës në ekipet e moshave. Një problem jo i vogël ky i De Biazit, mbi të gjitha pas dëmtimit të Mavrajt, që lë një boshllëk jo të vogël në mbrojtje. Përsa i përket formacioni ndryshe nga herët e tjera, ku formacioni kuqezi për një ndeshje zyrtare mësohej rreth 24 orë më parë, këtë herë ndaj Armenisë, paqartësitë mbi formën e disa lojtarëve kryesorë kanë bërë që De Biasi të ketë ende dyshime për ekipin, që do të nxjerrë këtë të diel në fushë që nga minuta e parë.  Mërgim Mavraj është një nga pikëpyetjet e mëdha të trajnerit 58-vjeçar. Për mbrojtësin e dëmtuar, stafi mjekësor po bën gjithçka që ai të jetë në fushë dhe vetëm gjatë ditës së sotme do të mësohet fati i tij. Nëse Mavraj nuk do të arrijë të bëhet gati, atëherë zëvendësuesi i tij pritet të jetë Debatik Curri. Mesfusha do të jetë e mbipopulluar edhe në këtë sfidë. Ndërkohë që pjesa më e madhe e këtij reparti do të jetë e njëjtë me ndeshjet e kaluara, pritet që Roshi dhe Memushaj të luajnë që nga minuta e parë. Arma jonë e vetme në sulm për të shënuar në këtë sfidë pritet të jetë kavajasi Sokol Çikalleshi. Takimi Shqipëri-Armeni do të zhvillohet sot në orën 18:00 në “Elbasan Arena”

Artikulli paraprak“EURO 2016” KROACIA DHE UELLSI KRYESOJNË
Artikulli tjetërSTRUGA: PUKA E VARFËR, I GATSHËM TË RIKANDIDOJ