Shqipëria është gati për të nisur aventurën e saj në Euro 2024.

Kuqezinjtë zhvilluar seancën e fundit stërvitore para sfidës së parë me Italinë, në “Signal Iduna Park”, të udhëhequr nga Sylvinho dhe stafi teknik.

Tekniku në diskutim me Dorivën, Zabaletën, Bulkun dhe Salihin, ndërkohë që skuadra është ambientuar me terrenin ku këtë të shtunë do të përballet me 4 herë kampionët e Botës, aty ku në tribunat e stadiumit pritet të mbizotërojë ngjyra kuqezi, me tifozët që kanë vërshuar në Dortmund në mbështetje të kombëtares.

Trajneri ka provuar dhe disa vendosje taktike, ndërkohë që për sa i përket formacionit duke përjashtuar ndonjë surprizë të minutës së fundit, Shqipëria pritet të zbresë në fushë me modulin e zakonshëm, 4-3-3.

Për portën Berisha është i avantazhuar ndaj Strakoshës, ndërkohë që në dyshen para “gardianit”, i sigurt është Gjimshiti, teksa ka një balotazh të fortë për shoqëruesin e tij mes Ajetit dhe Ismajlit.

Nuk ka risi nga krahët, me Mitaj dhe Hysajn të blinduar, ndërsa mesi i fushës pritet të jetë ai që luajti dhe në takimin e fundit me Azerbajxhanin, Asllani me Ramadanin dhe Bajrami para tyre.

Për sa i përket treshes së sulmit, në qendër do jetë Broja, ndërsa nga krahët Asani dhe Seferi japin garancitë më të mëdha.

Pritet të jetë kjo 11-shja që do të zbresë nga minuta e parë ndaj Italisë.

Në kampin e kaltër ndërkohë Spalletti është përpjekur të ruajë gjithçka për të surprizuar.

Tekniku për këtë arsye ka preferuar të zhvillojë seancën e fundit në qendrën ku po stërvitet Italia dhe jo në stadiumin e ndeshjes, teksa në konferencë për shtyp nuk zbuloi nëse do të zbresë në fushë një skuadër të rreshtuar me mbrojtjen me tre apo mje katër.

Edhe mediat më prestigjioze në Itali në këtë situatë janë treguar të rezervuara, duke mos guxuar të hipotetizojnë e megjithatë ka disa që japin indicie, sipas tyre mbrojtja pritet të jetë me 4, me modulin 4-2-3-1.

Para Donnarummës do të rreshtohen, Di Lorenzo, Mancini Bastoni e Dimarko.

Në mesfushë Barella është rikuperuar dhe do të jetë në qendër me Jorginhon, teksa i padiskutueshëm në majën e sulmit duket Scamacca, që do të mbështetet nga një treshe lojtarësh që e bëjnë Italinë të paparashikueshme, pikërisht Chiesa Fratessi dhe Pellegrini.

Artikulli paraprak‘U ZGJUA NGA ËNDRRA E KEQE’ E MOTRA E SOKOL MËNGJESI KA NJË MESAZH PAS 16 DITËVE KOMA TË AVOKATIT
Artikulli tjetërMË I MADH I 20 VITEVE TË FUNDIT, JA ÇFARË KA MBETUR NGA ZJARRI NË SHKODËR, TREGTARËT KËRKOJNË NDIHMËN E SHTETIT