Euro bie sërish, po i afrohet 133 lekëve, rënie pëson edhe dollari

Euro po zhvlerësohet me shpejtësi në tregun vendas duke shënuar kështu një tjetër rekord të ri të ulët.Sot 1 euro këmbehet me 133.18 lekë, 0.10 lekë më pak se fund i javës së kaluar sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë. Ky është edhe niveli më i ulët që euro ka pësuar që nga shtatori i vitit 2009. Leku është përforcuar edhe përkundrejt dollarit duke u këmbyer me 119.05, 0.28 lekë më pak se të premten duke reflektuar kështu zhvlerësimin e dollarit në bursë ndaj monedhës së përbashkët, e cila ka reflektuar besim tek investitorët pas fitores absolute të maxhorancës nga partia e Macronit në Francë. Në bursat ndërkombëtare euro ka fituar pikë sot duke u këmbyer me 1.12 USD, e nxitur nga fitorja bindëse e presidentit francez Macron. Megjithatë pavarësisht forcimit në bursë monedha e përbashkët nuk ka mundur të devijojë nga trendi rënës në vend. Sipas ekspertëve nivele të tilla të ulëta të euros ishin parashikuar në sezonin veror, por duket se fushata zgjedhore ka qënë një nxitës për përshpejtimin e zhvlerësimit të euros në tregun vendas. Euro pritet të zhvlerësohet më tej në fund të këtij muaji dhe në javën e parë të muajit korrik, pasi me përfundimin e muajit të Ramazanit pritet të shtohet fluksi i turistëve nga Kosova. Ndërkohë pas trysnisë së efekteve sezonale ekspertët thonë që euro do të zhvlerësohet edhe gjatë muajit gusht me kthimin e emigrantëve për pushime. Teprica e madhe në valutë sipas tyre përveç efekteve sezonale është ndikuar më tepër për shkak të investimeve të huaja si TAP por edhe prej aktiviteteve të paligjshme duke bërë kështu që euro të kap nivelet më të ulëta në 9 vite.

Artikulli paraprakVRAU GRUAN ME SËPATË NË PLAZH, DËNOHET ME 35 VITE BURG
Artikulli tjetërPOLICIA RRETHON “CHAMPS ELYSEES”.DYSHOHET SE NJE MJET KA GODITUR FURGONIN E POLICISE