Ëndrrat për të hyrë në Bashkimin Evropian mund të zbehen për Shqipërinë pasi vende si Franca dhe Holanda janë të ftohta kur bie fjala tek zgjerimi i BE-së në Ballkanin Perëndimor, pavarësisht thirrjes së Komisionit Evropian për të nisur procesin e pranimit’, kështu ka shkruar rrjeti televiziv Eruonews në një artikull me titull: A mundet që vonesat në zgjerimin e Ballkanit të minojnë BE-në?

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama shprehu zhgënjimin për situatën, duke i thënë Euronews javën e kaluar se: “Ne duhet të përballemi me faktin se vendimmarrja e Këshillit nuk bazohet tek ajo që bëjmë ne si vende, por tek situatat dhe dinamikat e brendshme politike në vendet e ndryshme anëtare’.

“Si Shqipëria, ashtu edhe Maqedonia e Veriut, kanë probleme me sundimin e ligjit, që kanë ngadalësuar rrugën e tyre drejt anëtarësimit”, shkruan Euronews.

Skepticizmi i Francës dhe Holandës

Politologu Florian Bieber tha se, në rastin e Francës, ekziston një skepticizëm i përgjithshëm midis elitave për zgjerimin.

“Mendoj se ka një ndjenjë midis elitave që zgjerimi i mëparshëm ishte një gabim dhe se minon levën franceze në BE,” tha ai. “Në këtë kuptim, ekziston një skepticizëm i përgjithshëm drejt zgjerimit.”

Sa i përket Holandës, ai beson se shqetësimi më i madh është se nuk duhej lejuar të tjera shtete me probleme të ligjit, që kur shtete anëtare si Hungaria dhe Polonia nuk kanë një rekord të mirë kur bie fjala tek çështje të tilla.

Bieber shton se stereotipet që i lidhin shqiptarët me krimin e ogranizuar nuk e ndihmojnë kauzën e tyre.

Në fund të fundit, “shumë prej tyre kanë të bëjnë me politikën e brendshme të këtyre vendeve dhe jo aq shumë me situatën në terren,” tha Bieber.

“Tashmë në pikëpyetje është besueshmëria e BE-së në përgjithësi” tha ai.

“Vëzhguesit në rajon e shohin politikën e Francës dhe të Holandës si jo të drejtë dhe të motivuar nga politika e brendshme dhe stereotipet,’ tha Bieber, duke thënë se kjo minon BE-në si një lojtar të drejtë dhe me kritere të qarta, veçanërisht pasi Komisioni ka dhënë dritën jeshile për negociatat.

Bieber thekson se ky lloj qëndrimi ka të ngjarë të dërgojë një sinjal negativ për qeveritë e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, që mund të mendojnë se nuk ia vlen të bëjnë kompromise të vështira nëse nuk pranohen në bllok.

Artikulli paraprakGREQIA NUK GJEN QETËSI, KRETA LËKUNDET NGA NJË TËRMET 4.5 BALLË
Artikulli tjetërMINISTRI SERB: PËR SHKAK TË TAKSËS PO I HUMBIM MILIONAT