DY EKIPET ITALIANE NAPOLI E FIORENTINA ZHGËNJEJNË TOTALISHT NË GJYSMËFINALE. Do të jetë Dnipro-Sevilja, finalja e madhe e Ligës së Europës, që do të zhvillohet më 27 maj. Ukrainasit dhe spanjollët ia dolën që të eliminojnë dy skuadrat italiane, Napolin dhe Fiorentinën, duke siguruar kështu vendin për në finale, e cila i mundëson fitueses të marrë pjesë në Ligën e Kampioneve sezonin e ardhshëm.

Për Seviljen ishte më e lehtë, pasi kampionët në fuqi i kishin larë hesapet që në ndeshjen e parë dhe për Fiorentinën, dukej thuajse e pamundur që të përmbysnin shirat e ndeshjes. Nga ana tjetër ishte Dnipro, skuadra ukrainase, që barazoi me një gol të parregullt në Itali, por që fitoi në shtëpi duke “ia mbyllur” kështu gojën presidentit napolitan, që akuzoi gjithçka dhe gjithkënd pas takimit të parë. Napoli nuk bëri asgjë më shumë sesa Dnipro, madje skuadra ukrainase arriti të tregohej cinike në momentin e duhur, duke nxjerrë jashtë gare ekipin e Benitezit. Gjithçka ishte mbyllur në “Ramon Sançez Pizuan” javën e shkuar, sepse rezultati 3-0 i jepte garanci fitueses në fuqi të Ligës së Europës. Fiorentina i shkatërroi shanset e veta që në vajtje, kur humbi raste të shkëlqyera për shënim, ndaj ishte e qartë se vetëm një mrekulli e kthente në lojë. Për të shuar çdo shpresë mendoi Sevilja, që brenda 5 minutash, në mesin e pjesës së pare mbylli gjithçka, me dy gola nga Baka dhe Daniel Carriço. Aq mjaftoi që Fiorentina të dorëzohej dhe vazhdimi ishte thjesht një stërvitje, me Fioren që nuk mundi të shënonte as golin e nderit. Deri në fund të takimit vetëm u luajt formalisht, teksa Iliçiç i Firoentinës humbi edhe një penallti. Sevilja, me rezultatin e përgjithshëm 5-0, shkon me meritë në finale dhe është favorite e madhe për mbrojtjen e trofeut, që do të vlente edhe një vend në Ligën e Kampioneve për sezonin e ardhshëm. Nuk e priste askush, ndoshta as vetë Dnipro, por kjo skuadër tashmë është në finalen e Europa League. Një mbrëmje e madhe në Kiev për Dnipron, që I befason të gjithë dhe fiton 1-0 kundër Napolit, duke siguruar finalen e parë në histori në një kompeticion evropian. Në pjesën e parë Napoli u fut në fushë me ndryshime të rëndësishme në formacion dhe deri diku të habitshme, ndërkohë që Dnipro ishte ajo e zakonshmja, me mbrojtje shumë solide dhe një sulm cinik, që arriti të mbante nën presion italianët. Fitorja e miqve dukej më pranë, duke parë epërsinë në lojë dhe raste për gol, por në minutën e 58-të erdhi goli befasues i Dnipros, që më pas bëri në mënyrë perfekte “Catenaçio”, duke i eliminuar italianët me armët e tyre të famshme. Pas minutash të tëra tensioni dhe një shtese të gjatë, Dnipro arriti të mbronte fitoren e madhe, që e vë tashmë përballë Seviljes në Varshavë, në një finale krejtësisht të papritur.

Artikulli paraprakProfesori edhe babysiter
Artikulli tjetërPROVIMI I GJUHËS SË HUAJ, RRITET VËSHTIRËSIA