LAÇI NDALET NË NJË BARAZIM ME INTER BAKU, PARTIZANI HUMBET NË NORVEGJI. Kukësi është skuadra e vetme shqiptare që arriti të fitojë në ndeshjen e parë të paraeliminatoreve të Europa League, duke mposht 2-0 bjellorusët e Torpedo Zhodino. Ndërkohë Laçi arriti të merrte vetëm një barazim 1-1 ndaj azerëve të Inter Baku, ndërsa Partizani u mposht 3-1 në Norvegji nga Stroemsgodset. Laçianët e nisën mirë takimin, i cili u zhvilluan në stadiumin e tyre, duke kaluar në avantazh në minutën e 20-të me anë të Metos. Pjesa e parë u mbyll me këtë rezultat edhe pse rastet për shënim nuk munguan për të dyja ekipet.

Pjesa e dytë u nis në mënyrën më të keqe për ekipin shqiptar, pasi azerët arritën të barazonin që në minutën e 2 të kësaj pjese. Deri në fundin e takimit asnjëra nga ekipet nuk arriti të shënonte dhe ndeshja përfundoi 1-1. Me këtë rezultat të arritur në ndeshjen e parë, duket se laçianët i kanë minimizuar mundësitë për të kaluar në fazën tjetër, pasi Inter Bakut do t’i mjaftonte dhe një barazim pa gola për të kaluar më tej. Ndërkohë, nënkampionët e Shqipërisë fituan 2-0 takimin e parë të paraleminatoreve të Europa League me bjellorusët e Torpedo Zhodino. Autorë të golave ishin Carioca-s dhe Pejiç. Gjithçka në takimin e parë foli në favor të nënkampionëve të Shqipërisë që u shfaqën më lart se rivalët nga Lindja dhe me një avantazh prej 2 golash përballja e kthimit nuk mund të jetë një sfidë që kërkon sforco titanike. Të kuqtë e Partizanit u mposhtën 3-1 nga Stroemsgodset në Norvegji, ku goli i vetëm për ekipin shqiptar u shënuan nga Astrit Fazliu.

Artikulli paraprakOSMAN MULA, NJË SIMBOL I FESTIVALIT
Artikulli tjetërÇIKLIZËM, VLLAZNIA KËRKON MË SHUMË MBËSHTETJE