Evropa vijon të përballet me temperaturat e larta, dhe thatësira.
Autoritetet në Toscana të Italisë kanë shpallur gjendjen e emergjencës. Drejtuesi i rajonit, Enrico Rossi ka firmosur shpalljen e emergjencës për ujin e pijshëm. Me këtë dekret, Rossi autorizoi një task forcë në përbërjen e së cilës përveç përfaqësuesve rajonalë, ka edhe përfaqësues nga Autoriteti Ujor i Toskanës, Këshilli i Qarkut, bashkitë dhe strukturat shëndetësore të cilët do të duhet të paraqesin brenda 30 ditësh, një plan të veçantë ndërhyrjesh, me qëllim minimizimin e efekteve të mungesës së ujit.
Ndërkohë, Greqi meteorologët thonë se këto temperatura nuk ishin regjistruar që prej 10 vitesh, ndërsa terometri ka shënuar mbi 45 gradë në disa vende. Athina dhe Selaniku janë dy qytetet ku ndihet më shumë nxehtësira dhe thatësira. Mijëra qytetarë kanë vendosur të pushojnë në bregdet këtë fundjavë, teksa në disa rrugë kryesore është shënuar trafik i rënduar.
Sipas parashikimeve temperaturat e larta do të vijojnë përgjatë gjithë ditës së diel, teksa pritet një përmirësim të hënën. Në Rumani, autoritetet kanë ngritur alarmin për dhjetëra qytete në të gjithë vendin, pasi temperaturat pritet të shkojnë deri në 40 gradë celsius. Sipas administratës kombëtare të motit, në qytete si Oltenia dhe Muntenia, termometri do të shënojë 40 gradë, më e larta e regjistruar ndonjëherë në të gjithë rajonin.
Ndërkohë, në 48 orët e fundit, vetëm në Bukuresht, më shumë se 1400 persona janë transportuar me ambulancë në spital për shkak se kishin probleme shëndetësore nga i nxehti.
Shumë prej tyre kanë rënë pa ndjenja në rrugë. Marrë shkak nga kjo situatë, autoritetet kanë krijuar instalime të posaçme uji në të gjithë Bukureshtin, në mënyrë që njerëzit të freskohen. Gjithashtu, kanë instaluar edhe 15 tenda që shërbejnë për ndihmë të parë.