Flitet për Kupat e Europës por Vllaznia ende nuk ka mbyllur llogaritë me sigurimin e mbijetesës në Kategorinë Superiore.

Pothuajse gjithçka është kthyer përsëmbrashti për Vllazninë pas ndeshjeve të javëvë të fundit. Humbja me Flamurtarin, barazimi me Korabin, humbja me Skenderbeun, barazimi me Luftëtarin kanë bërë që kuqeblutë të lënë 10 pikë në 4 javët e fundit. Nga ana tjetër ajo që nuk pritej është barazimi i Laçit në ndeshjen me Partizanin në Tiranë në shifrat 0-0. Pas javë së 33-të Vllaznia mban vendin e 5-të me 39 pikë dhe më pas renditen Teuta 36, Flamurtari 35, Tirana 35, Laçi 33 dhe në fund Korabi me 13 pikë.

Në këtë mënyrë teksa duhen edhe 3 javë për t’u mbyllur ky sezon Vllaznia është vetëm 6 pikë larg vendit të parafundit ku ndodhet Laçi çka do të thotë se është ende e rrezikuar. Shkodranëve u duhet vetëm një pikë në tre ndeshjet e mbetura për të siguruar mbijetesën por kalendari nuk është aspak bujar në këtë fund kampionati. Vllaznia ka ndeshjen direkte në transfertë me Laçin që do jetë me 15 maj, këtë të hëne. Shkodranët shkojnë me disa probleme në formacion, lojtarë të dëmtuar apo edhe mungesa si ajo e Bakaj ndërsa laçianët janë më të motivuar se kurrë.

Pas kurbinasve në fundjavë Vllaznia udhëton drejt Durrësit teksa luan me një tjetër rival që matematikisht ende nuk nuk ka siguruar mbijetesën dhe i duhet fitorja. Javën e fundit Vllaznia ka një sërish një sfidë direkte me Tiranën. Bardheblutë ndodhen në vendin e 8-të me 35 pikë më të rrezikuar se kurrë për të rënë nga Kategoria Superiore. Kështu shkodranëve edhe pse i vetëm një pikë për të siguruar mbijetesën ka tre javë tejet të vështira në të cilat duhet treguar kujdes.

Mund të ndodh që fatet për Vllazninë dhe Tiranën të vendosen edhe në javën e fundit por për të mos arritur deri aty kuqeblutë duhet të sigurojnë më parë një barazim në Laç ose me Teutën. Në të kundërt mbetet që gjithçka të zgjidhet në javën e fundit në klasiken e futbollit shqiptar Vllaznia-Tirana, klasike që për ironi të fatit nuk do luhet për titull kampion por mund të jetë për të siguruar mbijetesën.

Artikulli paraprakSHKODRANËT INDIFERËNTË PËR TË SIGURUAR BANESAT
Artikulli tjetërKULT – XHANETA KADILLARI